Superliga e futbollit tonë rikthehet sot, ku dueli që spikat është ai që do luhet në orën 16:45 mes Partizanit dhe Vllaznisë. Ndeshje që do zhvillohet në “Air Albania” dhe që paraqet një interes të lartë për tu ndjekur. Kjo jo vetëm për historinë e madhe dhe të pasur që kanë të dy ekipet, por edhe objektivat për të cilët janë ndërtuar këtë edicion.

Të dy skuadrat janë larg pretendimeve dhe objektivave të fillim sezonit. Ku Vllaznia duke shumë larg titullit kampion, ndërsa Partizani nga ana e vet është larg Europës për momentin. Por ky do jetë ndoshta një takim vendimtar për të ndarë shumëçka në rrugëtimin e pjesës së mbetur të sezonit.

Vllaznia në vendin e 4-t të renditjes në kuotën e 33 pikëve, qëndron 5 pikë sipër Partizanit. Të kuqtë nga ana e tyre janë në vendin e 5-të me 28 pikë. Ky duket se do jetë takimi vendimtar se cili prej ekipeve mund të marrë një “goditje” në objektivat sezonalë. Kështu në rast të një suksesi të kuqebluve, Partizani do ishte shumë pikë pas.

Dhe gara për një vend në kupat e Europës nëpërmjet kampionatit do ishte e pamundur për “demat”. E kundërta nëse Partizani fiton sonte, ku patjetër që kryeqytetasit do shtonin presionin ndaj Vllaznisë, por edhe synimet për të kapur 3 vendet e para.

Tashmë do shihet se cili prej ekipeve mund ti japë “goditje” njëra-tjetrës, në një ndeshje që patjetër parashikon të dhurojë emocione të mëdha.
Endri ÇINARI