Egnatia e Rrogozhinës kishte projekte këtë sezon, e madje nisi një strategji duke pasur edhe mbështetjen maksimale dhe dashamirësinë e kryebashkiakut Haxhi Memolla, që ndërroi jetë pak ditë më parë gjatë ndeshjes Korabi-Egnatia në Dibër.

Rrogozhinasit afruan shumë futbollistë, një pjesë e të cilëve të moshave 19-24-vjeç që kanë luajtur edhe në elitë.Në Rrogozhinë nisën një punë me plan, ku këtë sezon të mos diskutohet mbijetesa dhe për vitin që vjen të synohet elita.

Rrogozhinasit kanë menduar që të ndërhyjnë në fushën e stadiumit “Hasan Zyla”, në mënyrë që kur të bien shirat të mos ndodh më siç edhe ka ndodhur deri më sot, kur pjesë më e madhe e fushës mbushet me ujë e baltë dhe bëhet e papërshtatshme për të luajtur futboll normal.

Ndaj edhe në Rrogozhinë, me shumë mundësi, sapo të përfundojë ky sezon, pritet që të ndërhyhet në impiantin e stadiumit, e më pas edhe në ambientet e brendshme dhe të jashtme, e pse jo edhe në pajisjen e shkallëve me stola plastikë, apo dhe ndërtimin e dhomave të zhveshjes, kur pritet që të ketë edhe një tribunë modeste, ndryshe nga ajo aktuale./Vipsport/