Së bashku me rezultatet, disa vendime të Zidane po shkaktojnë një hendek të ri të klubit me trajnerin. Kjo ndodhi në fillim të sezonit, ndërsa kriza e fundit është rihapja e një plage të vjetër.

Këtë e bën me dije sot “Marca”, e cila e shtjellon me detaje listën e mosmarrëveshjeve në “shtëpinë e bardhë”. Sipas saj, galaktikët janë rikthyer në “shtigje” të rrezikshme dhe në Madrid nuk i përkrahin disa vendime të francezit, që prekin një numër të madh lojtarësh. Kjo është lista e lojtarëve, që përplas klubin me Zidane.

Marcelo-Mendy
Klubi bëri një përpjekje të madhe verën e kaluar për të rifreskuar Real Madridin. Jo të gjithë ishin emra të mëdhenj, por “injeksioni” ekonomik ishte shumë i rëndësishëm. Përveç Hazard, Zidane nuk i ka dhënë rëndësi e hapësirë pjesës tjetër të nënshkrimeve të verës së kaluar.

Mendy u duk se fitoi terren, njëfarë stabiliteti në formacionin e bardhë. Megjithatë, javët e fundit, Zidane ka dashur të rikuperojë Marcelo dhe Mendy është rikthyer në statusin e tij të zakonshëm si zëvendësues, që përkon me një fazë të re të rezultateve të dobëta.

Jovic-Mariano
“9” është një tjetër pikë fërkimi mes palëve. Real Madridi nënshkroi me Jovic verën e kaluar, por Zidane nuk ka arritur të marrë performancën e pritur nga sulmuesi në fjalë. Në fakt, për disa javë, as nuk e përfshin në listën e të grumbulluarve.

Francezi, madje, ka vendosur të “vërë bast” për Mariano, i cili kishte kaluar tërë sezonin pa hyrë në planet e trajnerit dhe ishte me një këmbë larg skuadrës, si në merkaton verore, edhe në dimër. Tashmë Jovic nuk shihet as në stol.

Rodrygo-Bale
Zidane duket se ia ka vënë sërish kryqin uellsianit, teksa i beson të riut brazilian prej një muaji e gjysmë. Dy lojtarë që gjatë gjithë sezonit kanë luajtur një rol kryesor në ekip dhe tani nuk hyjnë në planet e trajnerit, pavarësisht situatës delikate në nivelin e rezultateve, dhe gjithashtu në sulm, pas dëmtimit të Hazard.

Zëvendësimet e Bale nuk janë pëlqyer asnjëherë në “zonën fisnike” të klubit, aq më pak mungesa e tij në ballafaqimet “yjore” me Manchester City dhe Barça.

Valverde-Militão
Fede ishte një zbulim i Zidane, ndoshta “çelësi” magjik për të dalë nga momentet e telasheve në fillim të sezonit. Tani, me Valverde të konsoliduar në ekip,

Zidane surprizon herë pas here, duke e hequr atë nga formacioni, edhe pse ekipi transmeton simptoma se ka nevojë për uruguaianin më shumë se kurrë. Francezit nuk i pëlqen as Militao, i cili po bën më shumë se një muaj pa luajtur.