Një shqetësim i papritur në kampin shkodran mund të prishë planet e stafit teknik në pragndeshjen me Laçin. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Vllaznisë, pikërisht sulmuesi Demir Imeri mund edhe të mos luajë të shtunën.

Futbollisti nga Kërçova ka ndjerë disa probleme shëndetësore dhe për këtë arsye, ka zhvilluar një stërvitje të diferencuar duke bërë vetëm disa vrapime të lehta rreth fushës së stërvitjes.

Si rrjedhojë trajneri Brdariç ka filluar t’i bëjë planet pa këtë lojtar teksa po sheh mundësinë se si do të mundet ta zëvendësojë për të shtunën.

Nuk përjashtohet mundësia që deri të shtunën gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet dhe të mund të jetë i gatshëm për takimin ndaj Laçit. Megjithatë çdo gjë pritet të mësohet ditën e nesërme kur do të zhvillohet seanca e fundit stërvitore dhe do të shihet edhe gjendja e Imerit.

Por në kampin shkodran nuk duken shumë të shqetësuar edhe në lidhje me këtë çështje, ashtu si herët e tjera, nuk shqetësohen për mungesat, edhe kur ato janë shumë të rëndësishme./SHKODRA-SPORT.COM/