Laçi-Vllaznia, takim qëv do të luhet të shtunën në stadiumin e Laçit, në orën 16:00. Në prononcimin e tij para kësaj transferte, kapiteni kuqeblu Erdenis Gurishta në një prononcim për mediat, para sfidës me kurbinasit, shprehet optimist që këtë herë është Vllaznia ajo që do të dalë fituese e ndeshjes.

“Ndeshjen me Partizanin e kishim parashikuar një ndeshje të vështirë. Por, unë e kisha theksuar dhe biseduar edhe me trajnerin që Partizani do të vinte në Shkodër që të mos e humbiste ndeshjen, sepse pas nesh ai ka tri ndeshje në shtëpi. Për pjesën se si shkoi ndeshja, mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë, megjithatë ne kishim shanse për ta fituar ndeshjen, por futbolli kështu është.

Gjithsesi duhet ta lëmë pas krahëve atë ndeshje dhe të përqëndrohemi tek ndeshja e së shtunës. Në këtë moment se si ka ardhur rrjedha e kampionatit, ndeshja duhej të ishte fituar për të mos i ndërlikuar gjërat, por e rëndësishme është që duke pasur parasysh edhe mungesat që kishim si dhe nivelin e kundërshtarit që kishim përballë nuk ishte keq edhe një pikë.”

Laçi

“Situata është e mirë, gjendja e futbollistëve është e mirë, përpos Imamit që akoma ka një dëmtim, tani grupi është më i plotë dhe trajneri ka kohë që ta përgatisë ndeshjen për të zgjedhur 11 lojtarët më të mirë për ndeshjen e së shtunës. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, një ndeshje shumë e dyluftuar, por besoj se kemi shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje.

Faktikisht, Laçi është skuadra që ju ka mundur dy herë në këtë sezon, mendoni se është momenti i duhur për t’i marrë pikët e plota dhe të marshohet drejt titullit kampion? Është e vertetë që Laçi na ka mundur dy herë në këtë sezon, por besoj se kjo ndeshje do të jetë krejt ndryshe. Do të jetë një ndeshje që besoj se do të vendoset nga episodet, ai që do të gabojë më pak do të fitojë. Unë besoj se do të jetë një ndeshje e mirë e jona dhe shpresoj se do të dalë me rezultat pozitiv për ne.”

Dueli me Sherrin

“Aleni është shoku dhe miku im, unë kontaktoi shpesh me të, por i kam thënë se këtë herë do të vij në Laç dhe do të mund.”

Kupa apo kampionati

“Normalisht që janë dy ndeshje shumë të forta, por ntë ndryshme nga njëra tjetra. Ne jemi të përqëndruar tek ndeshja e së shtunës për kampionat, pastaj do të kemi kohë të mendojmë për ndeshjen e së mërkurës për Kupë. E mira e kësaj gjysëmfinale është që na ra të luajmë në fushën tonë. Ne nuk është se kishim ndonjë preferencë për kundërshtarin, thjeshtë preferenca jonë ishte që ndeshja të luhej në Shkodër.

Ndeshja tashë do të luhet në Shkodër dhe them se të dyja skuadrat kanë shanset e hapura për të shkuar në finale. Por, e theksoj edhe një herë që vemendja e jona është për ndeshjen e së shtunës në kampionat. Unë mendoj se deri në javën e fundit, 3-4 ekipe do të jenë në valle për titullin kampion, ai ekip që gabon më pak, ai ekip do të shpallet kampion.

Pra, e theksoj, ashtu si ne, Teuta, Laçi, dhe Partizani ka shumë shanse që të dalin kampionë, ndërsa Kupa është një specifikë tjetër, është një ndeshje teke me Laçin, shpresojmë të shkojmë në finale, pastaj kemi kohë të mendojmë edhe për ndeshjen finale.”

Rivalët

“Për mua, që të gjithë ekipet që përmenda më lart janë rival, përderisa një pikë dhe dy pikë na ndajnë nga njëra tjetra, ky kampionat tregon se është një kampionat i fortë. Tani në valle ndoshta është futur edhe Tirana, por ne duhet të shohim ndeshjet tona dhe nuk duhet të merremi me kundërshtarët”, – tha Erdenis Gurishta në fund të prononcimit në prag të sfidës me Laçin në transfertë./vipsport/