Me kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, ku në raundin tjetër Vllaznia do të përballet me Bylis, atmosfera në skuadrën e Josës është pozitive. Megjithatë, pavarësisht kësaj, ekipi ka vijuar normalisht përgatitjet për përballjen e fundjavës në kampionat ndaj Laçit.

Kjo ndeshje do të luhet ditën e nesërme në orën 15:00 në stadiumin e Laçit dhe për shkodranët, është një përballje e rëndësishme dhe mjaft e vështirë, në të cilën Vllaznia do të tentojë të marrë rezultat pozitiv, duke qenë se skuadra po kalon një moment të mirë pas kalimit
në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.

Megjithatë, jo gjithçka ka shkuar mirë, pasi për këtë ndeshje, shkodranët do të udhëtojnë pa një prej futbollistëve më të rëndësishëm të këtyre sezoneve të fundit, Fjoart Jonuzin, i cili mungoi edhe ndaj Flamurtarit.

Mesfushori ka pësuar një dëmtim së fundmi dhe për ndeshjen me kurbinasit, konsiderohet mungesë e sigurtë. Shto këtu më pas edhe pjesën tjetër të futbollistëve të dëmtuar, siç janë Latifi, Boshnjaku, Hakaj, e Kaina të cilët nuk do të jenë në dispozicion të stafit teknik.

Ndërkohë, në përballjet mes tyre në sezonin e shkuar, shkodranët kanë arritur të fitojnë dy ndeshje me kurbinasit, ndërsa kanë barazuar një tjetër dhe janë mundur në një përballje në Laç.
Maringlen ZHIVANI