Labinot Ibrahimi, ish-lojtar i Partizanit në gjashtë vite dhe aktor i rëndësishëm në sezonin e titullit, i ka bërë një analizë këtij starti të “demave” për këtë sezon. Labi, një nga ishlojtarët më të dashur nga tifozëria e kuqe, vazhdon karrierën në Ligën e Parë të Kosovës me Feronikelin. Sipas 36-vjeçarit, Partizani sivjet është në rrugën e duhur, por ka nevojë për t’u përmirësuar në disa aspekte. Mbrojtësi tregon edhe çfarë u mungon të kuqve në derbi.

Labinot, si po ju shkon aventura te Feronikeli 74?

Jam shumë i kënaqur, pasi ekipi po ecën shumë mirë. Në përbërje kemi disa djem të rinj, të cilët po dhurojnë lojëra të bukura. Të them të drejtën nuk e kam pritur këtë ecuri, sepse ekipi ndodhet në vendin e parë. Shpresojmë dhe jam i bindur se do ta mbajmë atë vend, pasi ky është edhe qëllimi i madh, të kthehemi në Superligë. Jemi në rrugën e duhur. Presidenti, bashkë me kolegët e tij po bëjnë punë të jashtëzakonshme për ekipin. Trajneri gjithashtu bashkë me stafin e tij po punojnë shumë mirë dhe kjo na lë të kënaqur edhe neve si lojtarë.

E patë derbin, ku gabuan “demat”?

Fatkeqësisht nuk munda ta ndjek direkt, sepse isha i angazhuar me ndeshje, por kam parë momentet më të mira të saj. Me aq sa arrita të shoh Partizani duhet t’i kishte shfrytëzuar më mirë shanset që iu dhanë. Gjithashtu, mendoj se në mesfushë duhet më shumë grintë dhe në mbrojtje pak më shumë koncentrim. Por futbolli i ka këto momente.

Përse po vuan Partizani në derbi në dy vitet e fundit? Në kohën tuaj e kishit bërë zakon t’i fitonit këto ndeshje ndaj Tiranës…

Në gjashtë vitet e mia te Partizani, nuk kam humbur asnjë derbi. Në ndeshje të tilla duhet grintë e madhe, pasi derbi nuk luhet, por fitohet me djersë dhe me mund. Të kuqve këto vite i ka munguar pikërisht kjo grintë. Grupi duhet të jetë i bashkuar dhe të tregojë vlerat dhe karakterin e vet. Ta bëjnë për tifozët, pasi shumica e tyre i përjetojnë shumë këto ndeshje. Shpresoj t’ia dalin në sfidën tjetër.

Çfarë po e dënon Partizanin në këto vite pas largimit tuaj që nuk po shkon te titulli kampion, pasi çdo vit ka pasur ekip të investuar?

U bënë tri vite. Kanë bërë shumë ndryshime, shumë lojtarë të larguar dhe shumë të tjerë të ardhur. Një pjesë e lojtarë të ardhur ndoshta nuk janë ambientuar me skemat e trajnerëve, por një pjesë e tyre duket se nuk u ambientuan dot as me futbollin shqiptar.

Po reagimi ndaj Vllaznisë, çfarë tregon?

Ishte një fitore me shumë rëndësi për ecurinë e ekipit, për vetëbesimin e lojtarëve gjithashtu. Kjo tregon dëshirën e madhe të këtij ekipi për të bërë mirë në këtë sezon. Shpresoj që kjo fitore të mos jetë një rastësi, për vetë objektivat e Partizanit.

Si ju duket stili i lojës së Partizanit?

Është mirë, por duhet guxuar më shumë. Partizani duhet të mendojë vazhdimisht për të sulmuar, jo vetëm për fazën defensive, pasi dihet historia dhe objektivat e këtij klubi.

Duke pare ndryshimet që u bënë vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit, ju ka surprizuar ky Partizan me paraqitjet e tij?

U bënë mjaft ndryshime dhe kjo normalisht kërkon kohën e vet. Të them të drejtën nuk më pëlqyen ndryshimet që u bënë në javën e fundit para nisjes së kampionatit, pasi është si thikë me dy presa. Por mund të them se më kanë befasuar, sepse kanë bërë një start të mirë për sa i përket rezultateve. Shpresoj të vazhdojnë me këtë ritëm.

Si ju duket në krahasim me vjet, është më i fortë?

Nuk ndryshon shumë, pasi edhe me profesor Tanin (Mehmetin) kanë bërë lojëra të mira.

Kemi parë dy versione të Rexhepit deri më tani. Ishte vendimi i duhur për të vazhduar me të në portë dhe mbajtur Hoxhën në stol?

Të jem i sinqertë dhe të flas me shpirt, kur nuk shoh vëllain tim, Albanin në portë, ndihem shumë keq, pasi ai është një portier i niveleve të larta dhe u bënë vite si kapiten i Partizanit. Normalisht që Hoxha e meriton portën, por edhe Rexhepi është një djalë i ri, i cili kërkon kohën dhe mundësitë e tij. I takon klubit dhe trajnerit ky vendim. Por sinqerisht, për mua personalisht, Albani është një legjendë, si dhe një djalë e një baba i mirë.

Sot luajnë ndaj Kastriotit, do ta ketë të vështirë Partizani?

Partizani gjithmonë ka pasur probleme me këto lloj ekipesh. Të gjithë mobilizohen në maksimum për ta mundur, pasi dihet kush është Partizani. Ndaj një skuadre si “demat”, lojtarët kundërshtarë kërkojnë të tregojnë cilësitë e tyre.

Cili lojtar ju ka rënë më shumë në sy në këto javë të para?

Të gjithë nga pak, por mund të veçoj Skukën dhe Bitrin. Më pas edhe Bruno (Telushi), Cara dhe Matondo bëjnë diferencën. Lojtarët e tjerë po e marrin veten gradualisht.

Keni diçka për t’u thënë tifozëve të kuq?

Patjetër që po. Ata kanë qenë një mbështetje e madhe për mua në ato gjashtë vite dhe gjithmonë do t’i mbaj në mendjen dhe kujtimet e mia. Ata janë lojtari i 12-të i Partizanit dhe i kërkoj të mbështesin sa më shumë ekipin.