Mungesa e alternativave në tregun shqiptar ka bërë që Vllaznia t’i hedhë sytë shpesh herë nga të huajt për të përforcuar skuadrën. Në fakt, deri më tani shkodranët kanë afruar vetëm dy futbollistë nga jashtë kufijve, pa llogaritur Boshnjakun dhe Malën, të cilët janë kosovarë dhe në futbollin shqiptar nuk konsiderohen “të huaj”.

Megjithatë, duhet llogaritur edhe pjesa tjetër e futbollistëve të huaj që ka në organikë Vllaznia. Kroatët Juriç dhe Aralica, malazezët Bulatoviç, Zogoviç dhe Vulaj, pasi ky i fundit ka pashaportë malazeze dhe jo atë shqiptare dhe nuk konsiderohet i tillë, si edhe braziliani Nunesh dhe boshnjaku Heriç, nuk mund të luajnë të gjithë njëkohësisht në ekip, pasi deri në pesë futbollistë të huaj lejohen në fushë.

Megjithatë, fakti që janë bërë shumë të huaj në skuadër, mund të detyrojë klubin të mos e shohë si prioritet afrimin e tyre dhe të shohë nga tregu shqiptar, kosovar apo maqedonas.

Në fakt, numri i të huajve është kthyer në një problem më vete për shkodranët, pasi duhet të bëjnë mirë llogaritë me ta në fushë, teksa kampionati është në prag. Edhe vetë trajneri Josa është treguar i kujdesshëm në miqësoret e luajtura gjatë qëndrimit në Pogradec, duke i konsideruar si takime zyrtare dhe duke mos hedhur më shumë se katër të huaj në fushë.

Një hall jo i vogël, nëse të gjithë futbollistët e huaj shihen si të domosdoshëm për ta nisur titullar, pasi në të kundërt, dikush do të “digjet” dhe nëse aktivizohet duhet t’i zërë vendin një tjetër të huaji.
Maringlen ZHIVANI