Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ
Alfred Ferko, drejtor i Flamurtarit? Një lajm shumë i mirë. E themi lajm shumë i mirë sepse ai ka një lidhje të gjatë me futbollin nga babai dhe vetja. Ka lidhje me futbollin si një nga lojtarët më gjakftohtë, më teknikë. Një ish-futbollist i bukur jo në formë e pamje, por në përmbajtje, në teknikën e lartë të përdorimit të topit, të krosimeve, driblimeve, në vizionin (fushë-pamjen) për lojën, për topin e gjatë dhe të shkurtër. Ferko ishte motori i krahut të djathtë i Flamurtarit të madh që luajti kundër Barcelonës. Edhe në ato pak ndeshje me kombëtaren tregoi klasin e tij.
Është kënaqësi e madhe që në drejtimin e Flamurtarit vjen një futbollist që e ka djersitur pa kushte fanellën kuqezi, që e do skuadrën bregdetare me zemër. Ai sjell me vete përvojën e çmuar si lojtar dhe trajner nga brenda vendit (Flamurtari, Egnatia, Shkumbini, Teuta), por edhe Greqia. Ai është një njeri me kredenciale të admirueshme edhe në menaxhimin sportiv. Ferko ka qenë një futbollist me kontrata të rregullta kudo që ka luajtur apo drejtuar, qysh në fillimet e tij në Greqi.
Një nga futbollistët e parë shqiptarë që kaluan kufijtë dhe u mirëdrejtuan e mirëmenaxhuan. Ferko do të mbahet mend për ndeshjet me Dinamon e madhe, po ashtu me Flamurtarin legjendë. Ai do të mbahet mend për aksionin Ferko-Zijaji-Ferko, krosim i këtij të fundit për te Bubeqi dhe gol. Ky ishte fillimi i demonstrimit të futbollit “tika-taka”, huazuar modestisht për kohën dhe kushtet nga kuqezinjtë e Flamurtarit të madh.
Vlora nuk mund të durojë që në krye të Flamurtarit të vijnë “me mbush xhepat”, lojtarë e trajnerë të huaj. Në fakt, ka bërë qejf me ta, e pa veten në kategorinë e dytë falë “legjionarëve” me emër të madh, por që bënë një “vërrë në ujë” me fanellën e kuqezinjve. Pra, edhe në këtë drejtim, guri i rëndë peshon në vend të vet… Ferko është pika e duhur referuese e rikthimit të madh të Flamurtarit aty ku i takon, në Superiore. Ferko është njeri që urren polemikat, llafet e kota, është bashkëpunues, komunikues. Ferko është një nga përfaqësuesit e Flamurtarit të madh, ndaj jam i bindur se do të ketë përkrahjen e të gjithë faktorëve që e rrethojnë: përkrahje morale, sportive, përvoje etj.
Një zgjedhje shumë e mirë e Sinan Idrizit, por që mund të ketë “stërkëmbëshat” e vet, ngaqë e dimë mirë se si është Shqipëria. Në futbollin tonë, jo pak herë fitohet jashtë fushës së blertë… Natyrisht, nga biseda që pata me Vasil Rucin, Roland Iljadhin, Rrapo Tahon apo Kreshnik Çipin, të gjithë ishin të gëzuar që te Flamurtari rikthehet një drejtues si Ferko. Le t’i urojmë sezon të mbarë Flamurtarit në rrugën e kthimit në elitë, le t’i urojmë punë të mbarë Ferkos në drejtimin e kuqezinjve, ashtu sikurse edhe Sinan Idrizit, i cili po e mban premtimin para tifozëve vlonjatë. Me siguri, sezonin e ardhshëm Flamurtarin do ta shohim duke luajtur në Superiore.