BESNIK DIZDARI

Sepse është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur – të paktën tash për tash – që kampionatet të rifillojnë. Kuptohet: kjo për shkak të situatës së tashme. Ndërkaq, përpjekjet për të mbërritur te ky “rifillim”, sigurisht duhen vlerësuar. Mirëpo, teksa sheh se nuk ka asnjë vendimmarrje bindëse dhe konkrete – shëndetësore në radhë të parë, mandej edhe sportive – vetvetiu nuk ngrohesh aq fort.

Të bën përshtypje që ndërsa Shqipëria, bie fjala, zhvillon një kampionat me vetëm 10 skuadra, me gjithë kërkesat e vazhdueshme për shtimin e tyre të sa e sa trajnerëve e presidentëve të klubeve – pa harruar kritikat tona që po mbushin një 10- vjeçar – është hedhur në sulm FSHF, deri aty saqë po don të na mbushë mendjen se po punon fort. Kur nuk mund të themi se më parë ka punuar fort për forcimin e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë për të thirrur spektatorët në stadiumet thuajse të boshatisur.

Deri aty saqë kur kujton mesataren më të ulët në Europë për praninë e spektatorëve para ardhjes së virusit në fjalë, që do të zhvillohen pra, ndeshjet pa spektatorë, ky nuk është problemi i Shqipërisë. Më tepër është problemi i Gjermanisë apo Spanjës të cilat kanë mesatarisht mbi 40.000 shikues për ndeshje.

Ndërkaq, mbasi për ditë të tana nuk iu dëgjua zëri, papritmas dje a pardje dëgjuam një gjysmë zëri edhe prej asaj që nuk ekziston: Liga Profesioniste, e cila, me sa duket, duke qenë se edhe vetë është e bindur se nuk ekziston, nuk u dëgjua e pakta për nja 60 ditë. Kur te shtetet e tjera ajo që po i dëgjohet zëri më fort nuk është federata përkatëse, por është Liga. Dhe jo vetëm kaq.

Është ngritur zëri duke i kërkuar me të drejtë ndihmë edhe qeverisë. Mirëpo, si ka mundësi që për kohë të tana nuk i kërkove qeverisë thuajse asgjë, ndërsa ajo pa u shqetësuar aspak t’i shumëzoi me zero realizimet e detyrimeve të një mbledhjeje pompoze me plot premtime të paradokohëve? Interesant, vërtet! Po papritmas, ka dalë në skenë sportive deri dhe ministrja e Shëndetësisë.

Deri aty saqë, diku, një servilizëm i pashoq që i referohej sportit të futbollit pra, lexuam afërsisht edhe këtë fjali: “Unë kam besim te ministrja e Shëndetësisë!” Duke shtuar se, për fat, ajo qenka edhe tifoze “bardheblu”! E shikoni se ku mbërrijnë trajtesat tona problematike për sportet në Shqipëri…? Artificialitet i tanë! Plus servilizëm i pashoq.

Bukur! Sepse kjo më kujtoi se dikur, në kohën e regjimit që shkoi, sporti pat qenë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë… Sikur të ishte vërtet edhe sot…! E pra? Them se përderisa po jepen gjithë këto mendime, po mendoj edhe unë se ndoshta e gjithë përpjekja nuk ia vlen të bëhet duke synuar përditë se kur do të rifillojë kampionati, porse kur do të rifillojë stërvitja. Kjo më duket më e rëndësishmja.

Mandej, “shohim e bëjmë”, siç thuhet në Shqipëri. Nga ana tjetër, le të presim paksa se si do të veprojnë shtetet e mëdha të futbollit e mandej t’i imitojmë. Ndonëse nuk mund t’i imitojmë. Ngaqë Shqipëria e vogël nuk është as Gjermani, as Spanjë e as Itali. Por diçka mund të mësojmë e ndoshta ndonjë prej shembujve të tyre, mund ta përshtasim edhe për Shqipërinë tonë “vogëlushe”.

Dy gjëra më kanë bërë përshtypje këto ditë: që revista e nivelit botëror “France Football” nga një herë në javë është kthyer në një herë në dy javë. Shkaqet merren me mend. Dhe tjetra: një deklaratë e Berlusconi-t – e, dihet se çka është ai për futbollin italian – i cili tha me shumë sinqeritet se nuk është futbolli ai që ka përparësi në këto ditë, por janë të tjerat, mbi të gjitha shëndeti i njerëzve dhe rënia e pandalshme e ekonomisë.

Dihet se edhe zhvillimi i kampionateve në Shqipëri bart një problem të rëndësishëm ekonomik, çka edhe pse marrëdhëniet me qeverinë, për shembull FSHF-ja (dhe jo vetëm ajo), prej kohësh i ka në një nivel të ulët. Ndërkohë që qeverisë i takon të ndihmojë, ndonëse financat e FSHF-së ta do mendja se nuk janë përtokë, apo jo? Për shembull, ajo mund ta shesë një pjesë të pallatit të saj ndër më modernët në Europë – çka për vogëlsinë e saj që përfaqëson, assesi nuk i takon.

Aq më tepër që nuk është e pastrehë. Ose të paktën ta lëshojë me qira dhe të ardhurat t’ia japë futbollit që drejton. Sigurisht, kjo nuk e zgjidh problemin, vetëm se e ndihmon paksa. Kështu pra, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim nëse tash për tash, vërtet mund të rifillojnë për së mbari stërvitjet. Mandej edhe rifillimi i kampionateve…