Titull urdhërues – çka dihet se të tillët e cenojnë gazetarinë. Por nuk kam çka të bëj. Dhe vetvetiu më del ky titull që thërret: “Ky sistem duhet flakur tej!” Kështu pra, këto ditë më është dashur ta “studioj” disi gjatë gazetën “Panorama Sport”, thjesht për të kuptuar sistemin – ndonëse më drejtë është ta quash kundërsistemin – e hyrje-daljeve, rënieve e ngjitjeve të skuadrave në kampionatet e futbollit në Shqipëri. Dhe ndalova te ky fakt:

Fjala është për rregulloren e “rënies nga Superiorja”, siç titullon gazeta, në pikën “f” të së cilës thuhet kështu:

“…Në përfundim të sezonit, klubi i renditur në vendin e 8-të në Superiore, do të zhvillojë një ndeshje finale me fituesin e fazës ‘play off’ të Kategorisë së Parë. Ndeshja do të luhet në stadiumin e klubit të renditur në vendin e 8-të. Fituesi do të jetë pjesë e Superiores në sezonin pasardhës”. Prej këtu shkova tek ajo që emërtohej: “Kategoria e Parë – Rregullorja për ngjitjen dhe rënien”, ku lexova pikën absurde e shkruar e zeza në të bardhë, që urdhëronte kështu:

“…Skuadrat e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 do të luajnë ndeshje ‘play off’ për të përcaktuar ekipin që do të zhvillojë ndeshje me vendin e 8-të të ‘Abissnet Superiore’, sipas skemës së mëposhtme: 3-6, 4-5″.

Kjo do të thotë që mund të ndodhë që skuadra e renditur e 6-ta në atë që quhet kampionati i Kategorisë së Parë, nëse fiton këtë lloj “play off”-i që nuk e gjen askund në botë, e nëse fiton mandej ndeshjen e vetme me skuadrën e renditur e 8-ta në Kampionatin parësor Kombëtar të Shqipërisë që u quaka “Abissnet Superiore”, kaluaka, pra, në 10 skuadrat më të mira të kampionatit parësor të Shqipërisë për sezonin e ardhshëm!

Duke u bërë kështu Shqipëria i vetmi vend në Europë që përmes “play off”-it, që mund të përfshijë në Kampionatin e saj Kombëtar skuadrën e 6-të të kampionatit të rangut të dytë të saj, duke flakur tej skuadrën e vendit të 8-të të kampionatit parësor! Jo një, por ky absurd i paparë, meriton dhjetë pikëçuditëse. E pra, si ka mundësi që skuadrës së renditur e 6-ta në Kampionatin e Kategorisë së shkallës së dytë, ti kërkon ta ngjitësh në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë përmes një dueli krejt të pabarabartë, krejt të papranueshëm që është skuadra e 8-të e Shqipërisë?

SKEMA

Ndërkaq, më duhet të përsëris shembullin e vitit 1974, kur 17 Nëntori i Tiranës (sot SK Tirana) u rendit e 13-ta në atë kampionat fort tërheqës me 14 skuadra, por nuk zbriti nga kategoria. Kjo ngaqë ai drejtim i mençur i asokohe, thoshte në rregulloren e tij se bie e 14-ta, ndërsa e 13-ta (e parafundit) zhvillon ndeshje për rënie e mosrënie me të dytën e Kategorisë së Dytë.

Dhe doemos 17 Nëntori fitoi 0-0 e 2-0 me Apoloninë e Fierit dhe nuk ra. Dhe vijmë te koha e tashme, e sotme pra. Zotni! Skuadra që është renditur e 6-ta në Kampionatin e Kategorisë së një shkalle më poshtë që ti kërkon ta ngjitësh në Kampionatin parësor Kombëtar të Republikës së Shqipërisë përmes një ndeshje të një “play off”-i më artificial në botë, nuk ka as të drejtë morale për ta pretenduar këtë nder.

Kësisoj, thjesht ngaqë ajo as nuk është kampione e kësaj kategorie të rangut të dytë, nuk është as nënkampione, nuk është renditur as e treta, as e katërta, as e pesta, por thjesht e 6-ta. Çka do të thotë se ajo është thjesht një skuadër e mesit të renditjes së atij kampionati të shkallës apo rangut të dytë. Pozicion ky që do të thotë se ajo, veç me dylbi, mund ta ëndërrojë Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.

Dhe lindin pyetjet e tjera: pse vepron kështu, ku e ke gjetur, çfarë synimi “marramendës” paske që të respektosh e të vlerësosh deri në skaj skuadrën e renditur në vendin e 6-të të kampionatit dytësor? Madje deri aty saqë papritmas na e quan “pretendente” për t’u ngjitur në Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe nuk paske pikë respekti për atë që është një nga 8 skuadrat më të mira të kombit? Vërtet, ku kërkon të dalësh? Çfarë kërkon të mbërrish asisoj? Na e thuaj, na e argumento që të heshtim, që të mos flasim, që të mos shkruajmë, që të mos botojmë apo kritikojmë, por që të të përulemi ty deri në gjunjë, siç për fat të keq mund të të jenë përulur ata që ke përreth. Shkojmë tash te realiteti tjetër.

Mbasi na ke lodhur tejet me këtë “play off” të katër skuadrave, të cilat kanë zënë vendet 3, 4, 5 dhe 6 të kampionatit të shkallës së dytë, ke vendosur ta urdhërosh këtë fitues të “play off”-it që të marrë makinën e të vrapojë për te stadiumi i skuadrës që ka zënë vendin e 8-të në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, ku të luajë vetëm 90 minuta e po qe i zoti për të fituar të ngjitet në 10-shen kombëtare! E edhe këtë po e tregojmë me rreptësinë e pikëçuditëses.

Kemi të bëjmë pra, me një ndeshje të vetme, në fushën e skuadrës nr. 8 të Kampionatit Kombëtar, që bie fjala, deri tash është skuadra e KF Kukësit – para pak kohësh kampione e Shqipërisë dhe plot 6 herë nënkampione. Për çka arsyeja e arsyeve, përveç të tjerave, na thotë se vështirë që kjo fituese e “play off”-it të Kategorisë së Kampionatit të rangut të dytë ta fitojë këtë ndeshje të vetme, atje tej, në fushën kundërshtare të stadiumit të Kukësit. Apo qoftë dhe të një tjetër skuadre të 8-të, pra, që do të thotë se është 8-shja e elitës së Kampionatit të Shqipërisë.

E shihni se sa artificiale, sa e panevojshme, sa kot, sa e pakulturuar, sa e padije, është kjo ndeshje dhe vetë ky “play off? Në tri vitet e fundit, këtë ndeshje absurde asnjëherë nuk e ka fituar skuadra “fitimtare” e katërshes artificiale të sajuar për dreq. Më 2020-ën kemi Vllaznia – Besëlidhja 3-1, më 2021-shin kemi Kastrioti – Tomori 2-1, më 2022-shin kemi Egnatia – Korabi 2-0. Çka do të thotë se në të tria rastet ka triumfuar skuadra e 8-të e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë dhe asnjëherë skuadra nr. 3, nr. 4, nr. 5 apo ajo nr. 6 e kampionatit të kategorisë së rangut të dytë.

Ndërsa ti prapë vazhdon me këtë sistem të dështuar. Dhe pyetjet që nuk mbarojnë: Përse veprojnë kështu? Përse zhyten në një artificialitet kësisoj? Kë duan të vlerësojnë? Ku duan të mbërrijnë? Siç e patë, u morëm vetëm me këtë pjesë skandaloze të kësaj rregulloreje. Nuk u morëm me të tjerat. Futbolli shqiptar do ta mbyllë sezonin me një tufë ndeshjesh të tjera “play off” e “play out”, që nuk ka burrë nëne t’i pranojë, t’i kuptojë e madje as t’i mbajë në mend.

Kaq të ngatërruara, përveç të tjerave, ato janë. Dhe me një guxim shembullor të një mungese diturie e kulture të organizimit të garave, mbërrijmë te ajo tjetra që na thotë se mbasi bien nga Kampionati i Kategorisë që e quan johistorikisht Kategori e Parë, plot katër skuadra, u thua skuadrave që kanë zënë vendet 9 dhe 10 në këtë kategori, gjoja të Parë, se do të luani nga një ndeshje me dy skuadrat fitimtare të nja dy “play off”- eve të tjera të grupeve të Kategorisë së Dytë, që dihet është e rangut të tretë. Dhe natyrisht do të mbërrijmë ashtu si dhe vitin e kaluar ku patëm plot 23 ndeshje të “play off”-it e të “play out”-it!

“O temporal, o mores”, do të thoshte latini. Dhe gazetari “i vetmuar” – në të vërtetë kurrsesi vetëm ai – që detyrohet të thërrasë në kupë të qiellit: “Ky sistem duhet flakur tej!” Duan të na mbushin mendjen se ky koleksion i pafund me “play off e “play out” qenka bukuria e futbollit. Në vend që të guxojnë e të shtojnë skuadrat nga 10 në 14 dhe të marrin katër të parat e Kategorisë së Parë (që dihet se është e Dytë), Skënderbeun e Korçës, Dinamon e Tiranës, Flamurtarin e Vlorës e Tomorin e Beratit – përfaqësuese këto, të katër qyteteve tradicionale të futbollit të Shqipërisë – veprim ky që do të ishte edhe një “mea culpa” për ata që tash e 10 vjet e kanë denatyruar Kampionatin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

U lodha vërtet, por kaq kisha. Si për mbyllje, shkrimin po e shoqëroj me një skemë që e pata botuar në gazetën “Sporti” (“Sporti Shqiptar”) që drejtoja – skemë që tregon kategoritë dhe numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatet e asokohe. I pata emërtuar pa iu nënshtruar askujt: Liga 1, Liga 2, Liga 3 e të tjerë. Tek e keni këtu bashkangjitur. Mos e imitoni.

Vetëm mundohuni të mësoni prej këtij organizimi të 28 vjetëve më parë, datuar 21 tetor 1995. Zoti iu ruajttë me të gjitha “play off”-et e “play-out”-et që ju krejt gabimisht mendoni se e pasurojnë mbylljen e stinës së futbollit shqiptar. Ashtu siç nuk e pasuruan sezonin e shkuar me të 23 “play off”-et e “play out”-et e tij.