Dyshja e Osmanëve, Qatipi dhe Tefiku duket se janë “sekreti” i suksesit aktual të Vllaznisë. Të dy ata e morën ekipin kuqeblu, njëri si trajner dhe tjetri si drejtor, kur Vllaznia po kalonte momentin më kritik të saj, por gjithçka ndryshoi me kalimin e ndeshjeve. Kjo pasi Vllaznia aktuale, në 15 javë të luajtura, ka grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip tjetër.

Paraardhësit e tyre, dyshja Migen Memelli dhe Elvis Plori, e lanë Vllazninë në vendin e shtatë me po aq pikë sa vendi i parafundit. Tashmë, kuqeblutë i ndajnë vetëm gjashtë pikë nga Egnatia kryesuese, që më parë kishte krijuar një diferencë të frikshme. Megjithatë, lind pyetja çfarë ka ndryshuar? Nëse më parë shikoje “buzëqeshje të ngrira”, tani me dy Osmanët buzëqeshin të gjithë futbollistët.

Buzëqeshin për rezultatet, për situatën e ndryshuar, por edhe për aktivizimin që kanë marrë pothuajse të gjithë lojtarët gjatë kësaj periudhe. Futbollistët buzëqeshin edhe për mënyrën se si po rikthehen te ky triumf që po argëton të gjithë Shkodrën. A nuk është bukuri që kjo Vllazni po dominon kampionatin? Nëse ndalemi tek dyshja e Osmanëve, secili prej tyre ka sjellë dhe krijuar shumë gjëra të reja tek Vllaznia.

QATIP OSMANI – Trajneri është ndalur në pesë elementë që kanë shndërruar grupin në një skuadër me synime madhore. Pikërisht, tek sulmi, mbrojtja, dhomat e zhveshjes, vertikalizimi dhe pressingu, që kanë ndryshuar shumë me Vllazninë e disa javëve më parë. Poashtu, duhet pranuar se në dallim nga paraardhësi i tij, trajneri Osmani ka ndjekur një strategji komplet ndryshe, e cila po rezulton e suksesshme.

Në përgjithësi, ai ka shprehur ekuilibër dhe qetësi në punën e tij, teksa profesor Qatipi nuk është polemizues apo thumbues për kundërshtarët. Po ashtu, 55-vjeçari Qatip Osmani ka ditur të ndërthurë futbollistët me eksperiencë dhe ata me moshë të re, ku ka ndërtuar një ekip të ekuilibruar që di të fitojë edhe me një gol. Pjesa triumfuese e Qatip Osmanit ka të bëjë edhe me frymën e grupit.

TEFIK OSMANI – Padyshim, një nga çelësat e suksesit të Vllaznisë është edhe menaxhimi që po i bën klubit drejtori Tefik Osmani, pasi ka ndikuar ndjeshëm në ecurinë e kuqebluve. Për hir të së vërtetës, te kjo Vllazni drejtori sportiv, Tefik Osmani, ka goxha nga dora dhe mendja e tij. Në fakt, jo më kot edhe presidenti Alban Xhaferi e përzgjodhi pak muaj më parë, menjëherë pas largimit nga Tirana.

Tefik Osmani është një emër që ka shkruar një copëz historie tek Tirana dhe një gjë të tillë po tenton ta bëjë edhe në Shkodër që në sezonin e parë të tij si drejtues. Ajo që vlen të përmendet është fakti se drejtori Osmani ka vendosur për të mos qenë shumë mediatik me fjalë, por me punë, ndryshe nga shumë paraardhës të tij që në shumicën e rasteve kanë deklaruar synime dhe objektiva madhore, por që në fund kanë rezultuar një dështim i madh.

BASHKËPUNIMI I TYRE – Mesa duket, kultura e tyre e punës është reflektuar së shumti edhe te Vllaznia e kësaj periudhe, që më shumë është fokusuar te vetja. Dy Osmanët kanë arritur të injektojnë në ekip një stil të ri pune, duke u marrë vetëm me veten dhe duke mos u bërë pjesë e kontestimeve të kundërshtarëve dhe zyrtarëve. Ajo që dy Osmanët kanë ndryshuar si me shkop magjik është edhe harmonia e shtuar në ekip me ardhjen e tyre në Shkodër. Dyshja e Osmanëve në pak kohë, ka arritur një sukses gati të paimagjinueshëm në momentin kur ata morën ekipin, paçka se me modesti të dy ata në biseda të ndryshme, ia faturojnë më së shumti suksesin futbollistëve. Mbase prezenca e këtyre dy personazheve ka sjellë një stil të ri fitues për Vllazninë që po shkon drejt një rruge të duhur.

Më parë, Vllaznia ishte makth, por tani ndodh krejtësisht e kundërta dhe padyshim, një meritë maksimale kanë të dy Osmanët, Qatipi dhe Tefiku, të cilët nëse në fund të sezonit do të arrijnë të sjellin titullin kampion, do të jenë pa pikën e dyshimit dy njerëzit më të dashur për gjithë Shkodrën dhe të gjithë tifozët e Vllaznisë kudo janë./SHKODRASPORT.COM/