Nuk mjaftuan rezultatet pozitive të kombëtares kuqezi, e cila kryeson grupin tonë kualifikues dhe ka bërë një hap të madh drejt finaleve të “Euro 2024” në Gjermani. Nuk mjatuan as kualifikimet e Partizanit në “Conference League” apo paraqitjet dinjitoze të Tiranës dhe Egnatias në garat europiane. Nuk mjaftoi as paraqitja e shkëlqyer e 21-vjeçarëve të Alban Bushit, që përmbysën Rumaninë; as rezultatet shumë të mira të kombëtares së minifutbollit. “Qershia mbi tortë” mendojmë se është debutimi dinjitoz i Enea Jorgjit në Champions League, si arbitri i parë shqiptar që e bën këtë në fazën e grupeve.

“Bilbili” elbasanas shkëlqeu në gjykimin e sfidës së mbrëmshme Yong Boys-Leipzig. Ky fakt tregon se në të gjitha përmasat, futbolli ynë është tashmë pjesë dinjitoze e Europës, atje ku duam të shkojmë edhe përmes politikës dhe vendimmarrjes së saj, por thuajse nuk kemi bërë asnjë hap përpara. Ja pra që futbolli është pararoja e çdo zhvillimi, sipërmarrjeje publike në vendin tonë, matet me kapacitete kontinentale, jo të tranzicionit të gjatë e të pafund shqiptar.

Enea Jorgji e shkroi emrin e tij në këtë drejtim, në Champions, aty ku “nusërojnë” më të mirët e kontinentit. Kjo është garanci mbi të gjitha e institucionit të futbollit tonë, FSHF, e cila e ka rritur cilësinë edhe në aspektin e gjykimit. Kjo vjen falë punës individuale stërvitore të “bluzave të zeza” nga vendi ynë, që tashmë kanë stemën e FIFA-s, por edhe trajnimeve të shumta që mundëson FSHF-ja me lektorë të UEFA-s në këtë drejtim.

Pra, tashmë trinomi futbollist-trajner-gjyqtar në futbollin shqiptar është i nivelit europian, i certifikuar me vepra dhe jo fjalë e mburrje koti, me propagandë, sikurse bën politika. Nëse me trajnerët po bëjnë një punë të madhe Alban Tafaj dhe Sulejman Starova, me arbitrat tanë ka punuar shumë Sokol Jareci, por edhe lektorët e huaj. Në fakt, e gjithë administrata e futbollit tonë tashmë mund të konsiderohet e kualifikuar dhe certifikuar, jo vetëm ajo në bazë, në zyrat e FSHF-së, por deri në ligat amatore rajonale.

Investimi në burime njerëzore është mbi gjithçka për të pasur sukses në kohët e stotme, edhe në futboll. Nuk mjaftojnë vetëm talentet që luajnë në fushë, por edhe trajnerë të zotë që i mësojnë gjatë zhvillimit të karrierës së tyre, edhe arbitra që injektojnë “fair play” e vërtetë të rezultateve të pastra, reale, pa asnjë ndikim nga jashtë. Siç e patë dhe vetë, Jorgji bëri prezantim dinjitoz në Champions League, ashtu si në shumë ndeshje të tjera europiane, ku ka qenë i përzgjedhur për të gjykuar, edhe në kampionatin shqiptar.

Sipas vëzhguesit të UEFA-s në ndeshjen e tij, Jorgji u tregua i saktë, mjaft profesional në gjykim. Vrapimi njësoj me futbollistët, dhënia e vendimeve në fraksion të sekondës, siguria në vendimmarrje dhe autoritar karshi ndonjë proteste të futbollistëve, e bëjnë provën e Jorgjit në Ligën e Kampionëve për vitrinë. Krenari për vetë atë, profesionalisht, por edhe “medalje nderi” për futbollin shqiptar, klasën tonë të arbitrave, FSHF-në.

Ra në sy përgatitja e lartë fizike, psikologjike dhe profesionale, koordinimi i përkryer me ndihmësit e tij, po shqiptarë, ndaj ne e themi me plot gojën: Bravo Enea Jorgji! Kjo është FSHF-ja, që tashmë ka jo vetëm “ministrin” e vet në qeverinë europiane të futbollit (Duka, si pjesë e KE së UEFA-s), por edhe “dallëndyshen” e parë përfaqësuese arbitrale në Champions-in e vërtetë, që nis nga faza e grupeve e deri në finale e madhe.

Tani shpresojmë dhe besojmë që ky vit tejet i suksesshëm për futbollin shqiptar të kompletohet me gjënë më të madhe, kualifikimin e kombëtares kuqezi në finalet e “Euro 2024”. Do të përsërisnim veten si në “Francë 2016”, do të ishte vërtet bukur…