Trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci, luan stolin e tij në përballjen kundër Skocisë, sot prej orës 20:45 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sinjal i qartë që i erdhi dhe nga kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ky i fundit në vëzhgimin e punimeve për ndërtimin e shtëpisë së re të Federatës e pranoi hapur se ndeshja ndërmjet ishullorëve dhe Uellsit ishin testet e vërteta të numrit një të stolit. Italiani e ndjen rrezikun dhe synon që të marrë fitoren ndaj ekipit skocez.

Numri një i stolit ka zgjedhur dhe titullarët që do të luajnë nga minuta e parë në Shkodër. Porta është kthyer në pronën e portierit Thomas Strakosha, i cili ka fituar betejën me Etrit Berishën. Mbrojtja gjen Veselin në krah të djathtë, i cili preferohet të mbyllë hapësirën e lënë bosh nga Hysaj i pezulluar, Xhimshiti dhe Mavraj në qendër, ndërsa majtas nga Binaku. Mesfusha gjen Memushajn dhe Xhakën, por emri i tretë është surprizë, Ergys Kaçe.

Lojtari i Panathinaikosit u thirr në emergjencë nga mungesa e Ylber Ramadanit dhe tashmë do të hidhet në fushë nga minuta e parë. E çuditshme zgjedhja e Panuccit! Nga krahu tjetër, në krahët e sulmit janë Uzuni dhe Grezda. Ky i fundit është rikuperuar në kohë dhe do të luajë nga minuta e parë.

I vetëm në sulm është Bekim Balaj. Shkodrani do të përpiqet të shënojë golin që iu “mohua” nga portieri kundërshtar në Skoci. Para publikut shkodran, ku i dihet, mund të ketë fat. Në sfidën e sotme nuk vlen asnjë justifikim, pasi duhet fitorja dhe nuk pranohet asnjë rezultat tjetër!

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë: Strakosha; Veseli, Xhimshiti, Mavraj, Binaku; Kaçe, Xhaka, Memushaj; Uzuni, Grezda; Balaj. Tr. Christian Panucci./telesport/