Ditën e djeshme në Dubrovnik të Kroacisë është zhvilluar një turne i rëndësishëm ndërkombëtar për sportin e xhudos ku kanë marrë pjesë sportistë nga thuajse të gjithë vendet e Europës teksa përveç medaljeve dhe diplomave, këtë herë ka patur edhe shpërblime financiare për secilin fitues në peshat respektive. Në këtë aktivitet është përfaqësuar edhe vendi ynë me tre sportistë të klubit Vllaznia dhe pikërisht me Aurora Shkozën, Angjelin Dedën dhe Luigj Shkozën. Paraqitjen më të mirë e ka bërë Aurora Shkoza. Ajo ka kaluar me sukses turin e parë dhe në të dytin është ndeshur me kampionen e Kroacisë që u shpall njëkohësisht edhe fituese e turneut në këtë kategori. Ajo ka humbur ndaj saj dhe për rrjedhojë, ka diskutuar me një sportiste gjermane vendin e tretë dhe të katërt. Ndonëse e dëmtuar në shpatull, Aurora ka luftuar fort deri në fund por një dëmtim tjetër në minutën e fundit, e ka detyruar atë të tërhiqet nga vazhdimi i mëtejshëm i garës. Paraqitje të mirë kanë bërë edhe dy sportistët e tjerë, Angjelin Deda dhe Luigj Shkoza që kanë fituar nga një ndeshje secili por pa mundur dot të rradhiten ndër sportistët më të mirë që do ngjiteshin pastaj në podium.

© shkodrasport.com