Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Një tifoz, i pakënaqur nga vendimet e gjyqtarisë, ka zbritur nga shkallët e pallatit të sportit në parket, aty ku kanë qenë gjyqtarët dhe ka goditur me grusht kryegjyqtarin Pavlli Karaj. Gjithçka ka ndodhur pas ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë në peshën 69 kg në mes boksierit të Vllaznisë Asmer Bilali dhe atij të Apolonisë Xhulio Vrenozi. Gjyqtaria në fund i ka dhënë fitoren Vrenozit dhe kjo ka shkaktuar reagim tek tifozët e pranishëm. Njëri prej tyre për rrjedhojë ka zbritur deri në parket dhe ka goditur kryegjyqtarin. Kaq ka mjaftuar që ndeshjet finale të Kupës së Shqipërisë të mos vazhdojnë më. Ky ka qenë vendimi i gjyqtarëve por edhe i kryesisë së Federatës. I pranishëm në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ka qenë edhe presidenti i Federatës Gjergj Leqejza që për mediat në lidhje me këtë incident është shprehur: “Ka qenë një incident i rëndë dhe i padenjë për Shkodrën. Megjithatë unë dua t’ia lë organeve përkatëse për ta ndjekur këtë rast. Por ajo që më shqetëson mua është rritja e problematikës në këtë sport dhe për këtë, urgjentisht do të zhvillojmë një mbledhje të kryesisë për t’i thënë njëherë e mirë ndal këtyre veprimeve. Sigurisht që boksi është një sport që nuk ka barazim, dikush duhet të fitojë dhe dikush të mundet. Ka ndoshta prej atyre që nuk e pëlqejnë humbjen megjithatë nuk duhet të shkojmë deri tek ai gjest që ndodhi sot”. Në këtë mënyrë finalet e Kupës së Shqipërisë për këtë vit nuk janë mbyllur. Ato nisën me probleme sepse ekipi i Tiranës, një nga favoritët për fitimin e këtij trofeu, ka munguar pa arsye. Për të vazhduar pastaj me incidentin e sotëm që në fakt ishte shumë i rëndë.
© shkodrasport.com