Peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj është rikthyer sërish në nivele të larta. Ai ka zënë vendin e gjashtë në Kampionatin Botëror të zhvilluar këto ditë në Poloni. Madje, me pak kujdes, mund të kishte hyrë edhe në zonën e medaljeve. Me 346 pikë të akumuluaranë dygarësh, ai regjistroi rezultatin më të mirë për sa u përket peshëngritësve tanë në këtë aktivitet. Një ditë më parë, Romela Begaj dhe Daniel Godelli nuk shkuan më shumë se vendi i 8-të. Shkodrani garoi në peshën 77 kg, në baterinë A, ku morën pjesë 11 sportistë.

Qerimaj e nis në mënyrën më të mirë të mundshme garimin e tij, duke ngritur në provën e parë në stilin e shkëputjes peshën 153 kilogramë dhe marrë përkohësisht kreun e renditjes. Më pas, shqiptari nuk arrin të përsërisë dot atë që bëri në provën e parë, duke dështuar në dy të tjerat, ku tentoi në fillim të ngrinte 159 kilogramë dhe 160 kilogramë. Kampion bote në baterinë A u shpall peshëngritësi kinez, Liu Ksinajun, i cili u tregua fantastik në të tri provat, duke sigluar tri rekorde botërorë. Në provën e parë kinezi ngriti peshën 165 kg dhe më pas 170, 176 kilogramë, duke fituar bindshëm medaljen e artë. Në vendin e dytë në stilin e shtytjes u rendit peshëngritësi nga Koreja e Veriut, Kim Song, ndërsa në vendin e tretë, polaku Kristofer Maçiej. Në disiplinën e shkëputjes, Qerimaj, si në atë të shtytjes, e fillon më së miri garën. Shkodrani ngjitet në pedanë dhe e kalon provën e parë duke ngritur 191 kilogramë. Por, dhe një herë tjetër Qerimaj dështon në provat e radhës, ku për dy herë nuk arrin të ngrejë peshën 196 kilogramë. Edhe në stilin e shtytjes, vendi i parë “blindohet” nga kinezi Ksinajun, që siglon rekordin botëror, duke ngritur peshën 206 kilogramë në provën e dytë. Pas tij, u rendit si në stilin e shkëputjes, koreani Song, me 196 kilogramë. Ndërsa podiumi u kompletua nga uzbekistanezi, Alimov Ulubek. Delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, do të rikthehet sot në Shqipëri. Në kampionatin botëror të peshëngritjes për të rritur, që po mbahet në Vroklav të Polonisë, kuqezinjtë nuk kanë arritur të rrëmbejnë asnjë medalje. Rezultatin më të mirë e arriti dje Qerimaj, i rikthyer nga skualifikimi, i cili u rendit i gjashti.
© shkodrasport.com