Është përcjellur sot paradite për në banesën e fundit ish-futbollisti i Vllaznisë Ardian Arra, i ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 55 vjeçare. Me qindra e qindra qytetarë të Shkodrës kanë marrë pjesë në këtë ritual për të respektuar këtë emër të madh të futbollit, por tashmë jo për të duartorkitur klasin e tij në fushat e blerta por për t’i dhënë lamtumirën.

Kishin ardhur nga Tirana edhe përfaqësuesit e lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit Millan Baçi dhe Vasillaq Zëri që kanë sjellë edhe një kurorë në emër të presidentit Armando Duka. Kanë qenë të pranishëme dhe emra të tillë të futbollit shkodran si Sabah Bizi, Fatmir Paçrami, Ahmet Meta, Hysen Dedja, Nikolin Thana, Isa Sukaj, Agim Medja etj. Kanë qenë të pranishëm edhe shumë prej ish-futbollistët të dalë nga duart e Ardian Arrës ku binte sy ndër të tjera Xhevahir Sukaj i cili ka mbajtur mbi supet e tij arkivolin me trupin e profesorit që ia mësoi këtë lojë të bukur. Në këtë ceremoni kanë nderuar edhe pushtetarët më të lartë të qytetit të Shkodrës dhe kuptohet që kjo ka qenë minimumi i asaj që mund të bënin për të nderuar një figurë të tillë sportive. Ardian Arra është përcjellë për në banesën e fundit me të gjitha nderimet e duhura dhe në fakt i ka merituar të gjitha. Lotët e Sabah Bizit duke folur për të, janë treguesi më i mirë për atë se çfarë ka humbur Shkodra dhe futbolli shqiptar. Pushofsh në paqe Ardian Arra!