Sezoni futbollistik ka përfunduar tashmë në të gjitha kategoritë e vendit tonë, , ku janë dhënë verdiktet finale për të gjitha skuadrat. E si gjithmonë në fundet e edicioneve ka vlerësime apo edhe krititika për ata që kanë bërë mirë apo jo. Nga skuadrat, futbollistët, trajnerët e deri tek gjyqtarët që shpesh janë në qendër të ‘stuhisë’ në futbollin tonë.

Për ‘xhaketat e zeza’ nga ajo çfarë është parë gjatë sezonit në të gjitha kategoritë ka qenë një sezon pozitiv. Pavarësisht se polemika do ketë gjithmonë, por në përgjithësi nuk kanë qenë ndikues në rezultate. E për tu ndalur tek një emër në veçanti, Ditmir Grimci. Gjyqtari shkodran ka qenë shumë aktiv këtë edicion në futbollin tonë.

Ndeshjet e tij kanë qenë të shumta në Kategorinë e Parë, ku shpesh i janë besuar ndeshje goxha delikate, që Grimci ka arritur ti menaxhojë në mënyrën e duhur. Prej disa sezonesh, Grimci është një element që garanton shumë për të ardhmen e arbitrimit shkodran dhe atij shqiptar.

Nga sezoni në sezon ai ka njohur rritje në performancën e tij dhe me siguri do jetë edhe në vëmendjen e FSHF. Ku në sezonin që vjen edhe ai mund të jetë një kandidat tjetër nga Shkodra për të arbitruar në ndeshjet e Superligës. Duke iu bashkuar ndoshta në këtë mënyrë edhe 3 shkodranëve të tjerë në Superligë, I.Myrtja, J.Podgorica dhe M.Bega.

Në vitet e fundit duket se disi është rikthyer edhe vëmendja e FSHF ndaj kolegjiumit të Shkodrës, që duhet thënë se përgjatë historisë është një nga kolegjiumet që ka prodhuar disa arbitrat më të mirë në vendin tonë.
Endri ÇINARI