Alen Sheri është shprehur se në Shqipëri portierët mbështeten shumë pak, duke thënë se gabime bëjnë të gjithë. Në një prononcim të dhënë së fundmi, portieri i Vllaznisë është shprehur se i përfundon kontratat në fund të sezonit dhe do të flasë me drejtuesit për të vendosur të ardhmen.

“Nuk e kam ndjerë shumë këtë pushim. Nga një anë e kishim të nevojshëm një pushim, por jo kaq shumë të gjatë pasi bëhet problem. Me rikthimin e stërvitjes ditën e sotme, ishte diçka shumë e mirë.

Sezoni aktual? Në Shqipëri roli i portierit shikohet me një sy tjetër. Roli i portierit është i veçantë dhe i vështirë, kërkon më shumë mbështetje. Çdo portier ka momente kur bën gabime.

Si sezon mund të konsiderohet si një i keq, por janë momente të këqija, por unë i kam studiuar dhe kam marrë mësime nga ato. Ulja në stol nuk është diçka shumë e keqe, pasi çdokush e bën atë. Në Shqipëri portieri nuk mbështetet.

E ardhmja? Unë jam shumë i përqendruar te kampionati për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kontrata më përfundon në fund të këtij viti, por nuk e kam menduar kurrë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen.

Do marr një vendim të kujdesshëm pasi do jetë një hap i rëndësishëm. Nuk kam një objektiv, por sapo të përfundoj kontratën do bisedoj me drejtuesit.”, u shpreh Sheri për “Superpsort”.