Pesë boksierë të Vllaznisë të premten do të nisen drejt Bosnjës për të marrë pjesë në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet këtë fundjavë në Sarajevë. Marjan Vashja, Arjon Kajoshi, Syrjan Marinaj, Emanuel Kaçaj dhe Nelson Hysa, të drejtuar nga trajneri Zef Gjoni sigurisht që janë përgatitur ashtu si duhet për të bërë një paraqitje të mirë në këtë turne ku do të marrin pjesë disa shtete të Ballkanit dhe të Europës. Vashja do të konkurrojë në peshën 69 kg, Kajoshi në 75 kg, Marinaj në 81 kg, Kaçaj në 91 kg dhe Hysa në +91 kg. Trajneri Gjoni në një prononcim për shkodrasport.com ka bërë të ditur se objektivi është i qartë: zënia e dy apo tre vendeve të para në pesha të ndryshe. “Ky është një turne i përvitshëm që zhvillohet në Sarajevë megjithatë sivjet ka diçka ndryshe sepse ka hyrë në kalendarin zyrtar të aktiviteteve
të AIBA-s. Janë dy ditë gara dhe nga informacionet që kemi, pjesmarrës do të jenë sportistë nga disa vende të Ballkanit dhe më gjerë. Ne me boksierët tanë kemi kohë që përgatitemi për këtë turne dhe objektivi është i qartë për të zënë dy ose tre vende të para në pesha të ndryshme. Ky turne do të na shërbejë edhe për të testuar veten në prag të ndeshjeve të kampionatit kombëtar të boksit që do të zhvillohen muajin e ardhshëm dhe ku padyshim do të synojmë titullin e rradhës kampion”- ka thënë ai. Turneu i Sarajevës do të jetë një nxitje për boksierët e Vllaznisë pikërisht në prag të nisjes së kampionatit kombëtar të të rriturve që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Tiranë, kampionat në të cilin boksierët shkodranë sigurisht që do të luftojnë fort për të fituar titullin e 21-të kampion.
© shkodrasport.com