Këto ditë në Durrës është zhvilluar kampionati kombëtar i moshave për të rinj dhe paratërinj. Në të përveç sportistëve të ekipeve të tjera të vendit, kanë marrë pjesë edhe 6 sportistë të Vllaznisë të drejtuar nga trajnerët Artur Lagja dhe Muhamet Tuzi dhe konkretisht Sheuqet Tivari, Dean Tula, Stiven Krahi, Fatjon Sokoli, Esamed Bajraktari dhe Lagja.

Interesant është fakti se pese prej tyre janë ngjitur në podium si fitues dhe ky është një tregues se peshëngritja shkodrane pavarësisht kushteve të veshtira te stërvitjes, vazhdon ta thotë fjalën e saj.Kështu Sheuqet Tivari është shpallur kampion kombëtar për paratërinj në peshën 85 kg duke arritur rezultatin më të mirë nga peshëngritësit e Vllaznisë. Dean Tula në peshën 56 kg ka zënë vendin e dytë për paratërinj dhe po vend të dytë ka zënë në këtë kategori edhe Stiven Krahi në peshën 62 kg. Ndërkohë në kategorinë e të rinjve Fatjon Sokoli ka zënë vendin e dytë ne peshën 85 kg duke u shpallur nënkampion i vendit. Ndërsa Esamed Bajraktari ka zënë vendin e tretë në peshën 69 kg. Sipas trajnerit Tuzi një paraqitje e tillë e ekipit të Vllaznisë është për t’u përgëzuar. “Kemi arritur që me pesë sportistë të ngjitemi në podium dhe kjo është për t’u vlerësuar duke pasë parasysh kushtet skandaloze në të cilat stërvitemi. Për t’ u veçuar përveç kampionit Tivari është edhe sportisti tjetër Dean Tula që ndonëse kishte vetëm 6 muaj stërvitje, arriti të zërë vendin e dytë dhe të shpallet nenkampion. E shoh si një sportist me shumë perspektivë por nëse palestra vazhdon të mos rregullohet, do të na krijojë probleme për të ardhmen e këtij sporti në Shkodër”- ka thënë trajneri Tuzi.

© shkodrasport.com