Armando Vajushi nuk është më pjesë e Petrolul në ligën e dytë të Rumanisë. Shkodrani ka qenë ndër më të paguarit në skuadrën e tij, teksa me bonuse rroga e sulmuesit shkonte te 7 mijë euro në muaj.

Pikërisht prej pagës së lartë, drejtuesit kanë vendosur të largojnë disa futbollistë, pjesë e të cilëve edhe Vajushi. Tanimë shqiptari mund të kërkojë një tjetër ekip, pasi ka lejen e klubit edhe pse kontrata mes palëve skadonte në verë.

Në Rumani bëjnë me dije se Vajushi nuk ka qenë dakord me largimin, teksa pritet të “marrë hak”, duke mos nënshkruar një kontratë të re me asnjë klub, nëse nuk gjen një pagë të përafërt.

Petrolul është në vështirësi financiare dhe kjo do të thotë se i detyrohet edhe për gjashtë muaj pagesë shqiptarit, nëse ky i fundit nuk gjen tjetër ekip dhe respekton kontratën.

Tanimë klubi rumun i detyrohet për tre muaj shqiptarit pagat e padhëna (nëntor, dhjetor, janar), me shumën që afrohet te 20 mijë euro./newsport/