Para pak çastesh u mbyll edhe ndeshja Vllaznia-Kastrioti. Takimi i vlefshëm për javën e 27-të të kampionatit përfundoi në shifrat 1-2 për krutanët.

“Shkodra Sport” sjell edhe disa “pikante” të sfidës mes shkodranëve dhe krutanëve për lexuesit e saj.

-Prania e tifozëve është e ulët në shkallët e “Loro Boriçit”. Nuk mungojnë grupimi “Vllaznit Ultras” në mbështetje të ekipit.

-Fusha e stadiumit “Loro Boriçi” duket në gjendje shumë optimale. Terren që garanton për futboll cilësor.

-Ka 4 ish-futbollistë të Vllaznisë në formacionin e Kastriotit. Duke filluar nga Hasani, Karakaçi, Zogaj dhe Kaina.

-Pranë një goli spektakolar Latifi në minutën e 5-të ku prishtinasi godet direkt nga këndi drejt portës. Shpëton portën e tij në vijën fatale Selmani që largon topin.

-Ka kontestime në një moment nga tifozeria shkodrane në drejtim të Latifit. Sulmuesi nuk vlerëson shumë një situatë të volitshme për gol, fakt që irriton tifozët kuqeblu.

-Trajnerët Plori dhe Çela qëndrojnë thuajse gjatë gjithë kohës në këmbë duke dhënë udhëzime për skuadrat e tyre. Por të dy duken shumë të qetë duke mos kaluar asnjëherë në eufori.

-Ekipi i Kastriotit vonon të zbresë në fushën e lojës në fillimin e pjesës së dytë. Krutanët vonohen 2-3 minuta në dhomat e zhveshjes.

-Rifillon furishëm pjesa e dytë për Vllazninë. Kuqeblutë gjejnë golin vetëm pas 20 sekondash me anë të Aralices i cili i shërbyer nga Hoxhaj nuk gabon.

-Ka “shkëndija” mes Selmanit dhe Aralices, mbrojtësi krutan ndëshkohet me të verdhë.

-Ndërkohë në fushë për Kastriotin janë dy vëllezër. Pas Adolf Selmanit që ishte titullar, në fushë zbret edhe Santiago Selmani.

-Ka duartrokitje për Ardit Hoxhajn në momentin që zëvendësohet. Vlonjati i lë vendin Smajlit. Por ish-sulmuesi i Flamurtarit largohet i revoltuar drejt dhomave të zhveshjes duke mos qenë dakord me vendimin e Plorit.

-Barazon Kastrioti me golin “tipik të ish-it”. Edon Hasani gjen golin pas një rrëmuje në zonën e Vllaznisë.

-“Çmendet” Edon Hasani, mesfushori realizon një “perlë” me një goditje nga distanca. Gjë që sjell edhe ekzaltimin e tij.

-Në fund Kastriotin feston fuqishëm pas 3 pikëve të arta të marra në Shkodër. Ndërsa tek Vllaznia vijon periudha negative me 3 humbje rradhazi.