Ne ndeshjen mes Vllaznisë dhe Tiranës ka patur disa gjera pikante te cilat kane rene ne sy dhe ato i ka sjelle per lexuesit e saj gazeta “Panorama Sport”.

Një superbanderolë është vendosur dy ditë më parë në tribunën përkundrejt në të cilën shihet qartë se mbi kalanë e Rozafës qëndron vetëm Vllaznia. Në të shkruhej: “One team we believe” dhe në anën tjetër të saj: “One dream fight for us”.

Fillon me një minutë heshtje përballja mes Vllaznisë e Tiranës, në nder të dy figurave të futbollit kryeqytetas, ish-presidentit Metush Seferi dhe ish-futbollistit të këtij klubi, Seit Hyseni.

Një dron ka filmuar gjithçka në fillimin e takimit.

Goli i shënuar nga Dilaver ka një dedikim për tifozin shkodran Edmond (Mond) Spathari, që po kalon një situatë të vështirë shëndetësore.

Është dëmtuar në kokë në minutën e 45-të Da Silva pas asaj ndërhyrjeje të ashpër të Vangjelit.

Takim i përzemërt pak para startit të pjesës së dytë mes dy brazilianëve prezentë në këtë përballje, Da Silva i Vllaznisë e Kale i Tiranës, pjesë e stolit bardheblu.

Ka festë te Tirana në fund të takimit, ndërsa Avdijaj, tani pjesë e Vllaznisë, ka komplimentuar ish-shokët e tij të skuadrës për fitoren e arritur në Shkodër. Avdijaj nuk ishte pjesë e ekipit shkodran në këtë takim.

Drejtuesit e kuqebluve nuk kanë vepruar si zakonisht kur kanë hyrë në dhomat e zhveshjes, por sapo janë ulur nga tribuna VIP, si kryebashkiakja Ademi e po ashtu edhe sponsori Xhaferi janë larguar pa shkelur hollin e stadiumit. Me sa duket, tani mungesa e rezultateve ka filluar të ndihet edhe tek ata.

Gjatë ndeshjes gjyqtarit Laver Alla i ra dy herë kartoni nga dora. Në fillim në rastin e një faulli ndaj Bathës dhe në rastin e Kalesë në fund të lojës.

Një vit rresht kishte Tirana që nuk fitonte në Shkodër. Sezonin e shkuar bardheblutë mundnin shkodranët në shtëpi më 2 shkurt 2020.

Tirana kryeson “klasiken” e Shqipërisë me 81 fitore, kundrejt 47 të Vllaznisë, ndërsa golaverazhi është 249-203 në favor të bardhebluve. Gjithsej, janë luajtur 186 takime mes dy skuadrave legjendare.