Ndeshja Kastrioti-Vllaznia pati disa momente pikante, në një kohë që u “pushtua” nga dëmtimet dhe tersi i lojtarëve që u futën si zëvendësues. Në stadiumin e Kamzës pati rreth 400 të pranishëm, ku një grup tifozësh kishin ardhur nga Shkodra për të mbështetur Vllazninë.
Ja momentet pikante te ndeshjes së djeshme.
* Rast unik me katër lojtarë të zëvendësuar për një pozicion te Kastrioti. Fillimisht kapitenin krutan, Abaz Karakaçi, nuk rezistoi më shumë se 8 minuta në fushë dhe u dëmtua. Në vend të tij u aktivizua Gabriel Morbek, por edhe ai nuk arriti të luante më shumë se 22 minuta. Sulmuesi u dëmtua dhe Mema u detyrua ta zëvendësonte me Abiel Bejzaden.
Por, çudia vijoi edhe me këtë të fundit, pasi nuk luajti më shumë se 35 minuta. Në vendin e Bejzades u fut Xhuljo Mehmeti, i cili vinte nga një dëmtim, por për fat të mirë e mbylli lojën deri në fund.
* E veçantë ndeshja e djeshme për Xhuljo Mehmetin, pasi gjatë kohës që aktivizohej në fushë, mori lajmin nga materniteti i Tiranës që u bë baba për herë të parë i një vajze. Ai këtë gëzim e ndau me shokët edhe me mënyrën se si festuan pas golit të shënuar nga Silvio Zogaj.
* Gjatë një përplasjeje mes Hoxhajt dhe Hasanit, vlonjati vendos duart në fytyrë dhe kërkon faull. Por, shkodrani i Kastriotit i thotë sulmuesit të Vllaznisë këto fjalë: “Lëri simulimet, se nuk të preku kush!”.
* Tifozët shkodranë u shfaqën shumë të zemëruar pas ndeshjes, duke reaguar ndaj lojtarëve dhe stafit me fjalët: “Largohuni!”.