Te Pogradeci plas sherri. Fundi i ndeshjes në Peshkopi është shoqëruar me një incident. Ka qenë Hermes Shkulaku protagonist, i cili është kapur me shokët e ekipit dhe stafin teknik.

Debatet që nisën me fjalë në fushë, përfunduan me ngritje tonesh në dhomat e zhveshjes. Mesfushori nuk i ka përtypur kritikat dhe ka sharë e ofenduar gjithkënd, përfshi edhe trajnerin.

Klubi, pasi ka shqyrtuar ngjarjen, ka dalë me vendim të prerë dhe e ka përjashtuar përfundimisht. Për të na treguar më shumë se çfarë ka ndodhur, ka folur vetë Ardjan Abazaj për “Panorama Sport”.

Ai e quan të tepërt këtë që ngjau dhe mendon se faji është i tiji, pasi shpesh është treguar zemërgjerë. “Nuk është hera e parë që në klub ndodhin këto situata të pakëndshme dhe të rënda.

E për këtë, fajin e marr unë përsipër si trajner. Shpesh kanë ndodhur incidente të ndryshme me këtë lojtar dhe të tjerë, por jam treguar zemërgjerë.

Ndonjëherë duke menduar se janë të rinj në moshë dhe gabojnë, i kam falur. Fajtor jam unë që kjo situatë precipitoi dhe kaloi në ofendime për faktin se duhet t’i kisha vendosur pikat mbi ‘i’ me kohë. Por kam menduar që duke i kursyer, mund të reflektonin dhe nuk do t’i përsërisin këto gabime.

Dhe për shkak të kësaj sjelljeje, klubi i Pogradecit dhe stafi i ekipit morën një vendim. Duke u bazuar në kontratën e firmosur me lojtarin në fjalë, që parashikon se për thyerje të disiplinës, etikës dhe komunikimit në skuadër, vendosi të ndërpresë përfundimisht marrëdhënien financiare me klubin me lojtarin.

Nga sot ai nuk do të jetë më pjesë e këtij ekipi. Dua të theksoj edhe një herë se situata të tilla kanë ndodhur edhe më parë me Shkulakun, por edhe me lojtarë të tjerë. Vetëm për të mirën e skuadrës dhe për ata tifozë që na ndjekin në borë, në shi e acar, nuk kam marrë vendime si ky i sotmi (djeshmi).

Por ky rast ishte tepër i rëndë dhe Shkulaku këtë herë nuk mund të tolerohej. Si përfundim, së bashku me stafin morëm vendimin që lojtari të mos jetë më pjesë e këtij ekipi”, tha trajneri Abazaj.

HUMBJA – Numri një i stolit u ndal edhe te loja e zhvilluar me Korabin, që nuk u përkthye me pikë.

“Kemi bërë një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni dhe për këtë i përgëzoj të gjithë futbollistët për atë lojë dhe karakter që treguan në fushë.

Goli që pësuam erdhi nga një gabim i mbrojtësit Hysenllari, që nuk arriti ta kthente topin ashtu siç duhet te portieri Alliu. Sulmuesi i Korabit përfitoi nga ky gabim dhe kështu pësuam një gol që na ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Ashtu siç e nisëm, mund të kishim dalë me rezultat.

Por, edhe pas këtij goli ne e morëm ndeshjen në dorë dhe zhvilluam një superlojë. E vunë në vështirësi kundërshtarin dhe e kemi spostuar në gjysmëfushën e tyre dhe nuk u lamë asnjë rast për të shënuar.

Unë jam shumë i kënaqur me çunat edhe pse humbëm. Jam krenar pasi zhvilluam një superndeshje kundër një kundërshtari që tenton Superioren”, përfundoi Abazaj.