Sevilla-West Ham është një nga takimet më të forta në raundin e 1-8-ve në Europa League. Sfida e parë do të zhvillohet nesër (e enjte) në Andaluzi (18:45).

Sevilla, që është ekipi rekordmen i këtij kompeticioni me gjashtë trofe të fituar, ka një shkak më shumë për të mbërritur në finale e madhe, pasi ajo do të zhvillohet në shtëpi: në stadiumin “Estadio Ramon Sanchez Pizjuan” më 18 maj.

Qyteti është përfshirë nga emocionet e përballjes me West Ham, që si çdo skuadër angleze pritet të mbështetet nga një numër i madh tifozësh. Gjithsesi, në Spanjë kanë përgatitur një surprizë të hidhur për ultrasit e “Çekiçëve”.

Në disa sektorë të stadiumit që mund të mbushen me tifozë nga ishulli, bileta do të kushtojë plot 9999 euro! Te Sevilla i druhen eksodit të anglezëve, dhe kanë zgjedhur të rrisin në mënyrë të frikshme çmimet e biletave për të pasur sa më pak mbështetës të West Ham në stadium.