Sikur të mos mjaftojë kri za e rezultateve dhe së fundmi bllokimi i ankandit për shitjen e aksioneve të Vllaznisë, situata në Shkodër vazhdon të ziejë, madje nuk mbeten pas as aludimet ndaj ekipit.

Pikërisht në rrjetet sociale, aty ku të gjithëve u jepet mundësia të shfryjnë në mënyra të ndryshme për pakënaqësitë që kanë në këtë krizë që po kalon skuadra, ka plasur së fundmi, pasi ka tifozë që akuzojnë edhe për shitje ndeshjesh.

Në këtë situatë, nuk ka mbetur pa reaguar as vetë sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ky i fundit, i ngacmuar nga kritikat e shumta të tifozëve, por mbi të gjitha edhe akuzat e tyre për shitje ndeshjesh, është përgjigjur me mënyrën e tij. “Po, po. Ti bashkë me lojtarët vazhdoni të shisni ndeshje. T’ju vijë turp që përfunduat në vend të katërt…”, ishte një nga komentet e tifozëve që solli reagimin e Xhaferit.

Kjo është një akuzë e rëndë shumë zotëri! Nëse ke qoftë edhe një provë, sado të vogël, bëje publike. Në të kundërt, quhet shpifje”, shkruan sponsori i klubit kuqeblu.

REAGIMET

“Panorama Sport” zbardh edhe disa reagime të tjera të Xhaferit, që janë bërë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Disa tifozë i kërkojnë që të veprojë si Tirana në sezonin e kaluar për të mos rrezikuar licencimin në Europë, ose në të kundërt të hapë krahun… ”

Në lidhje me çështjen e borxhit, më duhet të sqaroj se nuk është në dorën time me statusin aktual që kam si sponsor, për të zgjidhur këtë problem. Tirana nuk është private, ndërsa Vllaznia ka 100 % aksione të bashkisë. Ka një ndryshim esencial në këtë pikë dhe që duhet kuptuar.

Prandaj unë kam ngritur zërin disa herë për finalizimin sa më shpejt të procesit të privatizimit, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet. Pastaj, se kur hap krahun nuk të pyes ty, sepse në fund lekët e shtëpisë time jam duke dhënë për të ndihmuar ekipin.

E dua Vllazninë edhe më shumë se ju, pasi për këtë jam afruar. Jam duke dhënë shumë lekë prej xhepit, ku askush nuk doli në këto 10 vite për të dhënë një pesë lekësh. Nëse jam unë problemi i Vllaznisë, largohem që nesër, sepse nuk jam peng i askujt”, shkruan ndër të tjera sponsori i shkodranëve në “Facebook”.