Mirel Josa ishte një nga kandidatët më potencialë për stolin e Vllaznisë. Klubi e kishte shumë seriozisht, aq sa edhe e kishin kontaktuar pak ditë më parë për këtë çështje.

“Panorama Sport” zbulon se ish-trajneri i kuqebluve (konkretisht 2006-2008 dhe 2010-2011) nuk është bindur nga oferta.

Dhe nuk i referohemi anës financiare, por kohëzgjatjes së saj. Drejtuesit i kanë kërkuar që ta marrë ekipin deri në mbyllje të këtij sezoni e më vonë do të diskutonin për zgjatje kontrate. Përgjigjja e 57-vjeçarit ka qenë e prerë: “Jo”. Ai e ka refuzuar kategorikisht, pikërisht prej kushteve.

Kjo i bëri përgjegjësit e kuqebluve të studionin opsione të tjera dhe direkt u shkoi mendja te Hysen Dedja, një ish-lojtar dhe trajner kampion. Pas bisedës fillestare me administratorin, e zhvilluar të hënën, 59- vjeçari nuk është menduar dy herë dhe jo më kot gjatë konferencës e pohoi këtë gjë.

Kjo bëri që të organizohej dje edhe takimi me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe për pak minuta, palët kanë arritur akordin dhe brenda ditës e prezantuan para mediave.

Ai do të jetë në krye të ekipit deri në mbyllje të këtij edicioni, por nëse Vllaznia i shmanget zonës së rrezikut dhe shkon në finalen e Kupës së Shqipërisë, rinovimi nuk do të vonojë.