Pesë javë më përpara Vllaznia mendonte për tjetër gjë, Kupat e Europës, vendin e katërt e shumë gjëra të tjera. Sot, ndërkohë, planet duhen bërë ndryshe. Kuqebluve u duhet të paktën edhe një pike, por ende nuk është shumë e qartë se ku do të merret ajo. Njëri nga lojtarët e këtij ekipi, mesfushori Arlind Kalaja, në prononcimin e sotëm për mediat, ka bërë të ditur se skuadra do të mundohet të bëjë më të mirën e mundshme, që ndaj Teutës të marrë pikën e shumëpritur, për t’i qetësuar të gjithë në Shkodër:“Nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë.
Duke pasur parasysh se si ka ardhur situata, me disa javë jo të qeta, shoqëruar kjo edhe me një ngarkesë psikologjike, do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin e të gjitha energjive që kemi. Prej javës në javë, situata erdhi duke u rënduar si në mënyrë të pakuptimtë, por tani duhet të mbledhim vetem dhe të luftojmë fort, sepse nuk ka më kohë për t’i korrigjuar këto gabime. Ne do të shkojmë për të marrë pikë në Durrës. Një apo tri pikë, kjo i mbetet fushës së lojës. Ne do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin, kjo është e sigurtë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë edhe për tifozët, ata janë oksigjeni për ne dhe shpresoj shumë që të na mbështesin edhe në këtë ndeshje”.Kalaja mendohet të jetë nesër në fushë, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe lëvizje të tjera në formacion. Këtë ka lënë të kuptojë në njëfarë mënyre në deklaratën e tij Kalaja, kur ka zbulur: “Profesori duket se ka ndërmend të lërë pushim ndonjë nga futbollistët me dy kartonë, megjithatë ende nuk është përcaktuar 11-shja me të cilën do të luajmë ndaj Teutës”.
© shkodrasport.com