Ka pritur e pritur dhe ka vendosur të reagojë presidenti i Egnatias, Agim Demrozi. Ai ka konstatuar një gatishmëri të qëllimtë ndaj Egnatias duke i ndëshkuar me kartonë të shumtë dhe duke i parë si të vegjël.

Ndërkohë që, sipas tij, për Egnatian janë investuar miliona më shumë se në çdo klub. Kjo, pasi rrogozhinasit e kanë nisur gjithçka nga e para që nga infrastruktura deri te kostot e ekipit me paga, akomodime, udhëtime dhe shumë futbollistë që trajtohen në fjetje e ushqim.

“Nuk dua t’i bëj askujt llogaritë se sa shpenzon për ekipin e tij, por di t’ju them se ne, meqë nisëm gjithçka nga e para, kemi investuar miliona lekë, fillimisht në infrastrukturë e pastaj gjë që vijon me futbollistët e stafin. Kemi shumë futbollistë jabanxhinj që i trajtojmë në kushte komode në akomodim. I përmenda këto për të treguar se Egnatia nuk është ekip i vogël, që djersa jonë, shpenzimet tona të nëpërkëmben”, thotë Demrozi ekskluzivisht për “Panorama sport”.

Sipas presidentit të Egnatias, në disa takime rresht gjyqtarët janë me duar te kartonët kur vjen puna për lojtarët e Egnatias. Madje, nuk denjojnë as të shkojnë te VAR-i në disa momente.

“Nuk kam dashur e nuk dua asnjëherë të merrem me gjyqtarët, pasi pyeteni se si i presim e i respektojmë në Rrogozhinë e kudo. Po s’mund të hesht kur shoh njëfarë vijimësie të ndëshkimit ndaj lojtarëve tanë. Nëse lojtarët e klubeve të tjera falen e mbyllen sytë, për lojtarët tanë gjërat zmadhohen. Po ju them vetëm rastin e të kuqit të dhënë në Laç për Kupë.

Lojtari ynë u fut në fushë me lejen e anësorit dhe kryesori i dha kartonin e kuq. Nuk ka ndihmë më të madhe për Laçin ose thënë ndryshe eliminim për ne, përtej lojës burrërore të Egnatias që e çoi sfidën me 11-metërsha. Duhet të jetë rast unik botëror të jepet karton i kuq në sekondën e 40- të siç ndodhi me Krasniqin. Thuhet se u zbatua strikt rregullorja, dakord, po përse nuk zbatohet edhe ndaj të tjerëve? Kemi parë ndërhyrje shumë më të rënda.

Prandaj apeli im shkon për Kolegjiumin e Gjyqtarëve. Na jepni hakun tonë, mos na paragjykoni si të vegjël, pasi dhe ne shpenzojmë miliona për futbollin si të tjerët. Për më tepër, siç e keni parë, mirëpresim shumë ekipe që shfrytëzojnë stadiumin tonë. Mikpritja kërkon respekt reciprok”, thotë presidenti.

Më tej ai ndalet te dy sfidat e radhës që i quan si finale. “Ne do të vijojmë të luajmë e besojmë te forcat tona. Kam një ekip që luan futboll shumë mirë, ndaj po përgatitemi për dy përballjet e radhës në shtëpi me Skënderbeun e Kastriotin. Do të djersijmë fort për t’i fituar ato dhe unë pres nga të gjithë lojtarët e stafi të vënë zemrat në fushë. Janë dy ndeshje që vlejnë nga 6 pikë secila. Nëse i fitojmë ato, atëherë me siguri kemi bërë një hap jo të vogël drejt mbijetesës”, mbylli presidenti i Egnatias.