Presidenti i FSHF, Armando Duka, do të bëjë ditën e nesërme një vizitë në Shkodër, pas suksesit të fundit të vajzave të Vllaznisë. Kreu i FSHF ka konfirmuar se do të ketë një takim me ekipin shkodran të femrave për ta uruar për arritjen në kompeticionin europian.
Kështu, mësohet se numri një i FSHF, do të ofrojë të gjithë mbështetjen e tij të mundshme për Vllazninë e femrave në kompeticionin e UEFA Women Champions League. Bashkë me të, do të jenë edhe përfaqësues të tjerë të FSHF.
Kujtojmë se, presidenti Duka nuk ishte prezent në “Loro Boriçi” kur Vllaznia luajti ndaj ekipit ukrainas Vorskla Kharkiv, ndërsa pas statuseve në Facebook, tashmë duket se i është kujtuar të bëjë një vizitë ekipit shkodran të femrave. Në fakt, më mirë vonë se kurrë.
Në vizitën e tij në Shkodër, presidenti Duka nuk përjashtohet mundësia që të flasë edhe për çështjen e trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë, sepse edhe ai vetë ka deklaruar se nuk ka akoma një vendim përfundimtar.
Maringlen ZHIVANI