Ekipi i Vllaznisë në futboll për femra do të luajë pasditën e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ndeshjen e dytë të UEFA Women Champions League ndaj ekipit ukrainas të Kharkiv. Në pritje të kësaj sfide shumë të rëndësishme, skuadra kuqeblu po vijon përgatitjet me ritmet maksimale për këtë ndeshje.

Ndërkohë, i ftuar në emisionin “Sport Show” në TV1-Channel, presidenti Lazër Matija është shprehur optimist për kualifikimin në grupet e UEFA Women Champions League. Presidenti Matija ka pasur edhe një falënderim për tifozët shkodranë, të cilët ishin të shumtë në numër të pranishëm në ndeshjen e parë, por i ftoi sërish ata ta ndjekin prej së afërmi këtë sfidë, pasi ky ekip do t’i bëjë krenar. Kujtojmë se, hyrja në stadiumin “Loro Boriçi” për ndeshjen e dytë ndaj ekipit ukrainas të Kharkiv, do të jetë falas.

Poashtu ndër të tjera, Matija u shpreh se nëse ata kualifikohen, në Shkodër do të vijnë emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, por theksoi se është një 90-minutësh shumë i vështirë, pavarësisht optimizmit.

“Nëse ne fitojmë ndeshjen dhe kalojmë ditën e mërkurë me ekipin kampion të Ukrainës, patjetër që në Shkodër do të vijnë emrat më të mëdhenj të futbollit botëror. Megjithatë, patjetër që për t’u ndeshur me ta, duhet kaluar ky 90-minutësh me ekipin ukrainas.

Në fakt, është një 90-minutësh i vështirë. Nuk është e lehtë, pasi ekipi ukrainas këtë synon, madje ata e kanë menduar Vllazninë një kundërshtar të lehtë dhe u ka dalë disi e papritur ky ekip, por gjithsesi ne kemi hyrë me objektiva të qarta. Nuk kemi hyrë vetëm ta provojmë, që po doli mirë, po nuk doli nuk humbasim gjë. Ekipi është i vendosur që të luftojë deri në sekondat e fundit për t’u kualifikuar.

Një gjë të tillë e tregoi më së miri edhe ndeshja e parë, edhe pse në ndeshjen e parë patëm disa problematika, që në futboll edhe ndodhin. Një gabim i gjyqtares mund të ndikojë shumë, sepse këto janë ndeshje me eleminim direkt, nuk janë me grumbullim pikësh dhe prandaj ka kosto një gabim që mund të bëjë gjyqtarja, me dashje apo padashje, kjo nuk është e rëndësishme.

Megjithatë, kryesorja është që në ekipin tonë kthehen dy futbolliste që ne i kemi pasur me problematika dëmtimi. Kjo është bërë e ditur edhe në media, sepse ishin dy futbolliste formacioni, dy futbolliste të Kombëtares, që nëse do i aktivizonim, do të rrezikohej karriera e tyre.

Ne menduam që ndeshjen e parë ta nisim pa këto dy futbolliste dhe ta vazhdojmë kështu, sepse e dinim se gjithçka do të shkonte në ndeshjen e dytë. Rikthimi i këtyre dy futbollisteve dhe forma e mirë e futbollisteve të tjera, që treguan në ndeshjen e parë, mendoj që na jep një garanci dhe një besim që ky ekip ka vlera, ky ekip mund të pretendojë realisht që të jetë në ekipet më të mira të Europës.

Mendoj që mbështetja që iu dha ekipit tonë edhe në ndeshjen e parë nga mbarë opinioni, sidomos nga opinioni shkodran, sepse ishte një numër i konsiderueshëm spektatorësh, sa që ua kalon edhe ndeshjeve të Superiores së meshkujve. Për ne, është një ogur i mirë, është një shenjë e mirë që futbolli luhet për këto tifozë.

Këto tifozë e duan këtë ekip dhe ky ekip e them me bindje që do të na krenojë, sepse nuk është një moment që vjen shpesh për vende si Shkodra dhe Shqipëria, sepse duke ditur që të futesh në elitën e futbollit në Europë, është shumë e vështirë. Vllaznia e ka këtë shans.

Ne mund edhe të mos kalojmë, sepse është futboll dhe nuk do ta quajmë disfatë, nëse Vllaznia nuk e kalon, por mundësitë janë reale që ky ekip të futet në 16-ekipet më të mira të Europës dhe të jetë aty ku e meriton ky qytet”,-tha gjatë prononcimit të tij, presidenti i Vllaznisë së femrave, Lazër Matija.
Maringlen ZHIVANI