Besëlidhja nuk ka në plan që të heqë dorë nga misioni “Superiore”. Edhe pse e mbyllën fazën e parë në vend të 4-t dhe me vetëm 12 pikë, lezhjanët besojnë te ngjitja.

Optimist për realizimin e objektivave është edhe vetë presidenti. Gjok Noka nuk e quan dëshpëruese distancën prej 8 pikësh me kreun, madje paralajmëron se ekipi i tij do të kthehet shpejt në “komandë”. Veç tri afrimeve të para që janë bërë, ai po projekton të tjera përforcime.

Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport” numri një i klubit thekson se nuk e ka humbur besimin te grupi. “Mbyllëm një fazë të parë të vështirë dhe në kushte jo të lehta, të diktuara prej COVID-19.

Pas 8 ndeshjeve të luajtura, jemi në vend të katërt dhe sigurisht nuk duhet të ishim në këtë pozicion. Pavarësisht renditjes, diferenca prej 8 pikësh nuk është dëshpëruese për një skuadër si Besëlidhja.

Kemi edhe 2/3 e pikëve në dispozicion. Unë jam optimist për skuadrën time dhe forcën reale do ta shfaqim në fazën e dytë. Futbollistët, stafi teknik, i gjithë klubi në përgjithësi autokritikën e madhe do ta bëjmë me nisjen e 2021-shit dhe për këtë jam i bindur.

Lojtarët janë më të interesuarit për ngjitjen në elitë, pasi ata vlerësohen në tregun e futbollit dhe kjo më jep këtë siguri për realizmin e misionit final. Aty ku janë vërejtur pika të dobëta po i plotësojmë me prurje cilësore.

Deri tani kemi afruar 3 serbë, të cilët gjatë këtyre ditëve stërvitore kanë dhënë sinjale të mira. Shpresoj ta bindin edhe stafin teknik, me në krye Sinan Bardhin. Situata për vitin e ri do të ndryshojë pozitivisht nga të gjitha pikëpamjet, përfshi edhe futbollin.

Duke përfituar nga ky prononcim, dua t’u uroj gëzuar festat të gjithëve. Qoftë një vit i mbarë, që të na heqë qafe COVID-19 dhe të gjitha ligësitë që na kanë goditur kohët e fundit, në veçanti ne shqiptarët”, përfundoi Noka.