Vllaznia luan të enjtë në 19:30 me Universitatea Craiova për ndeshjen e kthimit në turin e dytë të Conference League. Shkodranët barazuan 1-1 në shtëpi disa ditë më parë, duke dashur të bëjnë një paraqitje të mirë edhe në Rumani.
Në lidhje me këtë duel, presidenti i kuqebluve Alban Xhaferi ka folur për “Skaner”. Nga ndeshja e shkuar, trajneri Josa, shanset për kualifikim dhe kërkesa e Hoxhajt për më shumë minuta, këto janë disa nga temat e cekura prej tij.
“Craiova, ishte një kundërshtar i vështirë, sepse bëhet fjalë për skuadër, që e ka buxhetin shumë herë më të madh se Vllaznia. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht, duke i parë edhe avantazhet që kishte kundërshtari. Vinin nga një ndeshje kampionati dhe ishin më mirë.
Pasqyra e kësaj ishte pjesë e parë, ku skuadra ishte më emocionale sesa duhej. Lojtarët nuk po bënin atë që duhej. Për eksperiencën e trajnerit, skuadra në pjesën e dytë u shfaq shumë mirë dhe mendoj që kemi bërë një lojë të mirë. Kemi një kundërshtar që tani e njohim. Shpresojmë që në ndeshjen e kthimit të bëjmë më tepër dhe ëndërrojmë kualifikimin.
Ndeshja pati një organizim perfekt përsa i përket sigurisë, e rrallë kjo, krahasuar me ndeshjet e tjera, që kanë pasur probleme. Dua të falënderoj edhe njëherë të gjithë që punuan për këtë ndeshje. Tifozeria shkodrane tregoi një kulturë të madhe, që e mbështeti ekipin. Shpresoj që t’ua shpërblejmë në ndeshjen tjetër.
Penalltia? E kam parë pak, nuk duhet ta mbajmë mendjen aty. Në pjesën e parë, goli mund të vinte edhe nga rast tjetër, sepse mundësitë i kishin. Ishte një arbitrim serioz mendoj.
Në pjesën e dytë ne ndryshuam modulin dhe skuadra kishte shumë kurajo. Për 20 minuta bëmë vetëm lojën tonë. Ne kemi lojtarë shumë të mirë dhe të talentuar, të cilët mjafton të jenë në ditën e tyre më të mirë dhe nuk ka vend pse të mbivlerësohet skuadra kundërshtare.
Kualifikimi? Unë them se shanset për kualifikim janë 50 me 50. Unë kam besim të skuadra. Të bëjmë lojën tonë më të mirë, pa presion. Ne kemi arritur shumë, duke bërë ndeshje të mirë në shtëpi. Eksperienca e Josës është e madhe, por çdo gjë është e bazuar te rezultatet. Ne nuk kemi bërë një skuadër vetëm për Europë, por edhe për kampionatin, duam të jemi aty kompetitivë.
Deklarata e Hoxhajt? Arditi tani është bërë shkodran. E duam shumë dhe shpresoj që ai të ketë paraqitje të mirë dhe ta meritojë vendin në formacion. Fjala e tij duhet të merret parasysh, por trajneri e sheh më mirë në stërvitje.
Nuk mund të fluturojmë që të themi se Vllaznia është pretendente absolute për titull, por ne kemi objektivat tonë dhe duam të shkojmë deri në fund”, tha Xhaferi./newsport/