Milot Rashica bëri një hap të rëndësishëm në karrierë duke u prezantuar te skuadra e Beshiktashit. Shqiptari i Kosovës, sezonin e shkuar luajti si i huazuar te skuadra e Gallatasarait, me të cilën u shpall kampion. Rashica shpreson që suksesin e sezonin të shkuar ta përsërisë edhe këtë sezon, por kësaj here me fanellën e Beshiktashit.

Sapo u zyrtarizua te skuadra tjetër e Stambollit, sulmuesi i Kosovës shprehu ambiciet për sezonin e ri, teksa foli edhe për simbolin e shqiponjës, që është gjithashtu edhe pjesë e Beshiktashit.

“Ishte gjëja më e rëndësishme për mua dhe doja të kthehesha në Turqi, ku jam i lumtur. Mua dhe familjes sime na pëlqeu ky vend dhe kaluam mirë këtu. Planet dhe projektet që më ofroi klubi ishin gjithashtu shumë të mira. E ndjeva që më donin, prandaj erdha këtu. Shpresoj që të kemi një sezon të mirë. E ndoqa ndeshjen tonë të parë, filluam mirë. Shpresoj të vazhdojmë kështu deri në fund dhe ngremë trofeun e kampionatit.

Shqiponja është simboli ynë kombëtar. Simbol i Kosovës e Shqipërisë. Kur bëjmë shenjë shqiponje, ata që na shohin e dinë se kush jemi. Kjo vlen edhe për ata që e shohin flamurin tonë.

Kam festuar golat e mi duke bërë shqiponjën. Është një rast shumë i veçantë për të gjithë ne, ka shumë kuptim.

Më pëlqen koha këtu. Edhe ne e kemi traditë byrekun dhe çajin. Ka shumë aspekte të ngjashme midis dy vendeve”, deklaroi Rashica.