Në ambientet e klubit të Bylisit, këtë të martë, ballshiotët prezantuan trajnerin e ri. Në një konferencë për shtyp, përpara të gjithë futbollistëve dhe me praninë e ish-trajnerit Jeton Beqiri, presidenti Kapllanaj, prezantoi trajnerin e ri, me 51-vjeçarin Bellai, që rikthehet në një stol të Superiores pas përvojave në Greqi.

“Dua t’u përshëndes të gjithëve juve djemve që ju kam përballë. Uroj të kemi shëndet dhe mendjen te puna, pasi vetëm ajo të nxjerr faqebardhë. Dua të falënderoj presidentin për zgjedhjen time si trajner i Bylisit. Njihemi prej vitesh dhe kemi folur shpesh bashkë. E njoh mirë politikën dhe projektin e klubit, ndaj vendosëm menjëherë të vijmë këtu. Kam një ide për çdonjërin prej futbollistëve, por kjo nuk mjafton, pasi duke punuar do të zbulojmë më shumë”, u shpreh Bellai.

Në konferencën për shtyp u shuan dhe aludimet e ditëve të fundit për një afrim me prapaskenë nga Bellai, pasi trajneri Beqiri, që riktheu Bylisin në Superiore, sqaroi se gjithçka u arrit në mirëkuptim, pas një oferte të marrë nga ai nga Arabia Saudite.

“Kam kaluar një periudhë të jashtëzakonshme këtu dhe kemi bërë shumë mirë. Më duhet të falënderoj presidentin Kapllanaj dhe të gjithë njerëzit me të cilët kam punuar këtu. Klubit i uroj sa më shumë suksese në të ardhmen”, u shpreh Beqiri.

Ndërkohë presidenti Kapllanaj i uroi mirëseardhjen stafit të ri dhe falënderoi Beqirin për punën e jashtëzakonshme të bërë në klub. “Falënderoj trajnerin Jeton Beqiri për punën e jashtëzakonshme që ka bërë në klub dhe akademi, dhe i uroj suksese në eksperiencën e re në Arabi” Në të njëjtën kohë i uroj mirëseardhjen dhe punë të mbarë stafit të ri teknik”, deklaroi ndër të tjera presidenti Kapllanaj.