Hamdi Salihi ka qenë një ndër futbollistët më të mirë që Shkodra ka nxjerrë ndër vite. Ish-sulmuesi, që aktualisht është zv/trajner i Kombëtares, ka qenë një ndër futbollistët më të spikatur jo vetëm të Vllaznisë, por edhe një nga më të mirët e futbollit shqiptar.

Ai ka lindur më 19 janar 1984 dhe pas disa vitesh si futbollist me paraqitje pozitive në ndeshje të ndryshme, qoftë me ekipet e tij apo edhe me Kombëtaren, pseudonimi i tij do të ishte “bomberi”, që i është vendosur nga ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, i ndjeri Otto Bariç, që gjithashtu e ka krahasur atë me legjendën gjermane, Gerd Muller. Salihi është njohur si një futbollist golashënues në Shqipëri dhe Austri. Në këto dy vende, ai ka shpenzuar shumicën e karrierës së tij.

Salihi ka qenë si futbollist pjesë e Kombëtares së Shqipërisë që nga viti 2005, ku bëri debutimin e tij dhe tashmë pas lënies së futbollit, është pjesëtar i kësaj kombëtareje edhe sot, në detyrën e zv/trajnerit. Poashtu, ai është një ndër golashënuesit më të mirë të Kombëtares. Salihi ka qenë futbollist i Kombëtares së Shqipërisë, teksa ka zhvilluar mbi 50-paraqitje dhe ka qenë titullar i rregullt midis viteve 2009 dhe 2013.

Salihi filloi karrierën e tij futbollistike me klubin e qytetit të tij, Vllazninë e Shkodrës, ku u promovua në ekipin e parë nga trajneri Artan Bushati. Në sezonin 2002-2003, Salihi luajti vetëm dy ndeshje në sezonin e parë të tij si profesionist. Në sezonin 2003-2004, Salihit iu dha një shans për të treguar kualitetet e tij si futbollist i ri, ku në 33-ndeshje arriti të shënojë 14 gola. Në sezonin e tretë të tij në klubin shkodran, ai luajti vetëm gjysmën e sezonit, ku në 30-ndeshje shënoi 16-gola. Në gjysmën e dytë të sezonit 2004-2005, ai u transferua në Greqi tek skuadra e Panionios Athens.

Në vitin 2004, ai u transferua tek kjo skuadër, në kategorinë më të lartë greke. Në atë kohë, sulmuesi i ri shkodran arriti të luajë vetëm 6 ndeshje. Zakonisht, duke herë si zëvëndësues në minutat e fundit të ndeshjes. Në fund të sezonit, ai u rikthye në Shqipëri, në shtetin e tij, për të luajtur me Tiranën.

Salihi u rikthye në Shqipëri për të luajtur me klubin e kryeqytetit, që nga fillimi i sezonit 2005-2006. Ai pati një sezon të shkëlqyer me klubin, duke arritur të fitojë Kupën e Shqipërisë dhe Këpucën e Artë, si golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar. Ai vazhdoi me Tiranën edhe në një pjesë tjetër të sezonit të ri, sërish duke qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit, përpara se të shkonte në Bundesligën e Austrisë.

Gjatë kohës që luajti me Tiranën, Salihi krijoi profilin e një golashënuesi dhe aftësinë e tij për të shënuar. Ai përfundoi i teti në renditjen e golashënuesve më të mirë të ligave nga IFFHS. Në një sezon me Tiranën, ai arriti të shënojë 29-gola, në vetëm 33 ndeshje. Gjithashtu, ai luajti edhe në pjesën e parë të sezonit 2006-2007, përpara se të shitej tek SV Ried në Austri. Gjatë pjesës së parë të sezonit 2006-2007, ai arriti të shënojë 13-gola në vetëm 17-ndeshje.

Në merkaton e dimrit në janar të 2007, Salihi u bashkua me SV Ried në Bundesligën Austriake. Ai e mbaroi pjesën e parë të sezonit me Ried, duke shënuar 6-gola, duke ndihmuar skuadrën që ta përfundonte sezonin në vendin e dytë. Gjithashtu, Salihi shënoi dy gola në raundin e parë të fazës kualifikuese të Kupës UEFA kundër Neftchi Baku, ku një nga golat u shënua në ndeshjen e kthimit në minutën e 85-të. Deri në minutën e 85-të, Neftchi kryesonte me rezultatin 2-0. Në qoftë se, do të përfundonte kështu, Neftchi do të kualifikohej me rezultatin e përgjithshëm 3-3, pasi kishte shënuar një gol në humbjen 3-1 në ndeshjen e parë. Falë golit të Salihit, Ried u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm, 4-3.

Në sezonin 2007-2008, Salihi gëzoi një sezon të mirë, duke u renditur si golashënuesi i katërt më i mirë i ligës me 12-gola. Megjithatë pavarësisht kësaj, Ried e mbylli sezonin në vendin e shtatë nga dhjetë skuadra që kishte gjithsej liga. Në sezonin 2008-2009, Salihi e përmirësoi veten, duke e mbyllur kampionatin me 14-gola, duke shënuar ¼ e golave të skuadrës së tij. Në sezonin 2009-2010, Salihi shënoi dy gola në gjashtë ndeshjet e para të ligës, përpara se një javë më pas të shitej te Rapid Wien.

Më 31 gusht 2009, Salihi firmosi një kontratë 3-vjeçare me gjigandët e Rapid Wien. Në ndeshjen e tij të parë me Rapidin, ai hyri në fushë në fillim të pjesës së parë dhe në minutën e 83-të, shënoi golin e parë me Rapidin. Ndeshja kundër Salzburgut përfundoi me rezultatin 2-2. Pikërisht Salihi, ishte ai që i shpëtoi nga humbja.

Deri në fund të sezonit, Salihi shënoi 17-gola. Dy nga këto gola i shënoi kundër ish-klubit të tij, duke u bërë golashënuesi i pestë më i mirë në ligë, teksa kishte një gol më pak se Jelaviç dhe Janko, dy gola më pak se Wallner dhe tre gola më pak se Hofmann. Në fund të sezonit, Rapid u rendit e treta në kampionat, 3-pikë larg kampionave të Salzburg dhe dy pikë larg Austrisë së Vienës. Rapid Wien arriti të kualifikohej për në raundin e dytë kualifikues të UEFA Europa League.

Salihi shënoi golin e parë për sezonin 2010-2011 më 22-gusht 2010, në fitoren 2-0 kundër Mattersburg. Më 25-shtator 2010, ai shënoi dy gola dhe ndihmoi skuadrën e tij të fitonte ndeshjen 3-2 kundër Kapfenberger. Poashtu, Salihi shënoi një gol kundër CSKA Sofia në UEFA Europa League, më 4-nëntor 2010. Më 11-nëntor 2010, Salihi shënoi dy gola kundër Hartberg në Kupën e Austrisë. Salihi i impresionoi të gjithë më 20-nëntor, duke shënuar katër gola në fitoren 5-0 kundër Lask Linz.

Një javë më vonë, ai shënoi edhe një tjetër gol kundër ish-kampionëve të Austrisë së Vienës, në fitoren 1-0. Golat e nëntë dhe të dhjetë të sezonit, erdhën kundër Innsbruck, më 11-dhjetor. Ai shënoi dy gola të tjerë kundër ish-klubit të tij, Ried, më 6-mars 2011, duke ndihmuar skuadrën që ta fitonte ndeshjen 2-0. Këto ishin golat e parë të tij për vitin 2011. Më 13-mars, ai shënoi golin e vetëm në minutën e 72-të, në derbin kundër Austrisë së Vienës.

Më 2-shkurt 2012, Salihi firmosi me DC United në MLS. Më 25-shkurt 2012, ai shënoi golin e parë me klubin në një ndeshje miqësore.

Më 3-shkurt 2013, zyrtari i skuadrës kineze të Superligës, Jiangsu Sainty njoftoi se ata kishin nënshkruar me Hamdi Salihin, nga DC United për të zëvëndësuar Danalache, të dëmtuar. Më 26-shkurt, ai shënoi golin e tij të parë në debutimin e tij për Jiangsu, në një humbje 5-1 jashtë fushe kundër kampionëve të K League, Seul, në raundin e parë të ndeshjes së fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Më 3-mars, Salihi fitoi titullin e tij të parë në Kinë, në Superkupën kineze në 2013, ku Jiangsu Sainty mundi fituesin e Superligës dhe FA Cup, Guangzhou Evergrande, 2-1. Ai detyroi Zhang Linpeng të Guangzhou të shënonte autogol në minutën e 18-të.

Më pas, ai shënoi golin e tij të parë në kampionat, në një tjetër fitore 2-1 kundër Wuhan Zallit të sapongjitur, me një goditje me kokë. Ai shënoi dy herë, fillimisht me një goditje dënimi dhe herën e dytë barazoi në minutat e fundit në ndeshjen e rradhës në shtëpi, ku morën një barazim me shumë vështirësi 2-2 nga ekipi i tij kundër Shanghai Shenxin. Hamdi Salihi shënoi sërish në 2013 në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës japoneze, Vegalta Sendai, në ndeshjen e fundit në grupin E.

Më 1-shkurt 2014, Salihi iu bashkua Hapoel Ironi Acre në një transferim si futbollist i lirë, duke nënshkruar një kontratë për një vit e gjysëm. Ai mori numrin 14 në skuadër dhe bëri debutimin e tij nëntë ditë më vonë, në fitoren 2-1 në shtëpi ndaj Hapoel Tel Aviv. Ai hapi llogarinë e tij të golashënuesve më 15-shkurt, duke shënuar dy herë kundër Ironi Ramat Hasharon, që përfundoi me fitoren 4-3 nga 1-3 në pjesën e parë, ku Salihi shënoi golin e dytë dhe të tretë, në minutën e 53-të dhe më pas golin e barazimit, për ta bërë rezultatin 3-3 në minutën e 57-të.

Më vonë, më 1-mars 2014, Salihi shënoi me një goditje roveshatë brenda zonës për të mundur portierin Amir Edri, për golin e vetëm të ekipit të tij në barazimin në shtëpi kundër Maccabi Haifa. Ky gol mori famë ndërkombëtare. Më pas, ai qëndroi 540-minuta pa gola në 6-ndeshje, duke marrë kritika nga mediat izraelite. Ai iu rikthye golit më 26-prill, duke shënuar golin fitimtar të ndeshjes kundër Hapoel Haifas. Pas kësaj, më 3-maj, Salihi shënoi golin e parë, me anë të penalltisë kundër Beitar Jerusalem dhe përfundoi me një fitore jashtë fushe, 0-2.

Kjo u pasua nga një tjetër gol në penallti, në ndeshjen e rradhës kundër Ironi Ramat Hasharon, e cila përfundoi me një humbje 1-2 në shtëpi. Salihi e mbylli sezonin me 13-ndeshje të luajtura, ku ka shënuar gjithsej 6-gola. Ai filloi një sezon tjetër me Hapoel Acre, sezonin 2014-2015 me ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shtetit të Izraelit 2014-2015 kundër Maccabi Haifa më 13-gusht 2014, teksa përfundoi me humbjen 2-1, ku Salihi shënoi gjithashtu një gol, në minutën e 27-të golin e parë. Më 13-shtator 2014, ai luajti ndeshjen e tij të parë në kampionat, në barazimin 1-1 kundër Hapoel Haifa. Më 13-dhjetor 2014, Salihi shënoi dy gola të rëndësishëm në barazimin 2-2 jashtë fushe kundër skuadrës së vendit të parë të tabelës, Hapoel Ironi Iryat Shomna. Kur skuadra e tij po humbiste 2-0, ai shënoi me një goditje të saktë me kokë në minutën e 59-të dhe më pas, shënoi sërish në minutën e 75-të, për të barazuar gjithçka më pas.

Më 2-shkurt 2015, Salihi nënshkroi me klubin izraelit, Hapoel Haifa, duke u bërë një nga futbollistët më të paguar në ligën vendase, me një pagë prej 20-mijë dollarë në muaj. Ai mbylli mosmarrëveshjet e fundit midis menaxherit Niki Vaknin dhe menaxherëve të klubit, të cilët më pas ranë dakord dhe ai nënshkroi për një vit e gjysmë. Salihi shënoi 4-gola në 10-ndeshje, duke ndihmuar klubin për të siguruar mbijetesën në Premier Ligën izraelite.

Në korrik 2015, u raportua se Salihi ishte bashkuar me Skënderbeun, për të luajtur në Uefa Champions League, duke marrë fanellën me numrin 14. Në atë kohë, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, sot trajner i Vllaznisë, shprehu kënaqësinë e tij për transferimin e Salihit, duke thënë: “Normalisht, një sulmues i tillë rrit shumë forcën e ekipit. Nuk kam sesi të mos jem i kënaqur nga afrimi i tij dhe kjo është diçka që dihet. Do të ishte vërtet një plus i madh, nëse do të qëndronte me ne për gjithë sezonin”,-tha në prononcimin e tij në atë kohë, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.

Salihi debutoi zyrtarisht me klubin e Skënderbeut më 14-korrik, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crusaders, duke shënuar dy gola në fitoren e rëndësishme 4-1 në shtëpi. Në ndeshjen e kthimit një javë më vonë, Salihi dha assist për golin e dytë të skuadrës së tij, të shënuar nga Liridon Latifi. Ekipi i Skënderbeut u mposht 2-3, por u kualifikua për në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm, 6-4.

Në raundin e tretë kualifikues, Skënderbeu u shortua ndaj moldavëve të Milsami Orhei. Në ndeshjen e parë në stadiumin “Zimbru”, Salihi rezultoi lojtari i ndeshjes, duke shënuar një dy-golësh, që i dha skuadrës një fitore të pastër 2-0. Ai shënoi sërish në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” me ekipin që arriti një tjetër fitore 2-0, duke siguruar kualifikimin për në raudin play-off. Me këtë arritje, Skënderbeu u bë skuadra e parë shqiptare, që arrin në play-offin e Ligës së Kampionëve.

Më 12-gusht, në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Laçit në stadiumin “Qemal Stafa”, Salihi hyri në fushë si zëvëndësues, në vend të të dëmtuarit Arbër Abilaliaj dhe shënoi një dy-golësh të shpejtë në një barazim 2-2. Ndeshja shkoi tek gjuajtjet e penalltive, ku Skënderbeu u mposht 8-7, me Salihin që shënoi në tentativën e tij.

Sërish në Ligën e Kampionëve, në raundin play-off, Skënderbeu u eleminua lehtësisht nga gjigandët kroat të Dinamo Zagreb, me rezultatin e përgjithshëm 6-2. Kështu pavarësisht disfatës, ekipi siguroi fazën e grupeve të UEFA Europa League, duke vendosur një tjetër rekord, pasi ata u bënë ekipi i parë shqiptar, që e arrin këtë gjë. Salihi ishte golashënuesi i dytë i fazës kualifikuese me pesë gola, dy më pak se izraeliti Eran Zahavi.

Pas përfundimit të fushatës së klubit në UEFA Champions League, vetë klubi konfirmoi përmes faqës së tij zyrtare në Facebook se, Salihi do të qëndronte në klubin e Skënderbeut edhe për pjesën tjetër të sezonit 2015-2016. Salihi bëri debutimin e tij në kampionat më 9-shtator, në fitoren 1-0 jashtë fushe kundër Vllaznisë, duke pësuar një dëmtim që e kishte të hershëm dhe u zëvendësua në minutën e 19-të. Megjithatë, ai u rikuperua në kohë për ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Europës kundër Beshiktashit, ku luajti në 20-minutat e fundit të humbjes 0-1 në shtëpi.

Salihi shënoi golin e tij të parë të sezonit në kampionat më 26-shtator, në një fitore 4-1 jashtë fushe kundër Bylisit të Ballshit, duke shënuar golin e tretë të ndeshjes. Më vonë, më 5-tetor, Salihi shënoi një dy-golësh në fitoren 3-0 të Skënderbeut ndaj Laçit, duke përfshirë këtu edhe një gol me penallti. 20-ditë më vonë, në humbjen 2-1 të Skënderbeut si mysafir ndaj Partizanit, Salihi shënoi me një goditje me roveshatë nga zona e penalltisë në minutën e 8-të, duke fituar famë ndërkombëtare. Salihi e nisi nëntorin me një dy-golësh, në fitoren 3-1 të skuadrës së Skënderbeut kundër ish-skuadrës së tij, Vllaznisë që renditej në vendin e tetë, duke e çuar numrin e golave në 8, duke kaluar Xhevahir Sukajn në tabelën e golashënuesve.

Në ditën e fundit të nëntorit, Salihi shënoi golin e tij të dhjetë në kampionat, në fitoren 2-1 jashtë fushe kundër Tiranës, në ndeshjen inauguruese në stadiumin e rinovuar rishtazi “Selman Stërmasi”. Më 20-dhejtor, gjatë ndeshjes së kampionatit kundër rivalëve për titull të Partizanit, Salihi thyen dorën në një përplasje me portierin Alban Hoxha, në minutën e 53-të të ndeshjes. Më vonë, u raportua se Salihi do të shkonte në Austri për ekazaminime të mëtejshme dhe do të ishte jashtë për një muaj. Salihi e nisi vitin 2016 më 7-shkurt, duke shënuar dy herë në fitoren 3-1 në shtëpi kundër rivalëve të Kukësit, duke e vendosur në renditje Skënderbeun dy pikë larg në krye.

Kjo u pasua nga një tjetër dy-golësh gjashtë ditë më vonë kundër Tërbunit të Pukës, në një fitore 3-1 jashtë fushe. Më 22-shkurt, Salihi shënoi golin e fitores me një goditje dënimi kundër Tiranës, duke e mbajtur skuadrën në vendin e parë në kampionat. Më 20-mars, Salihi shënoi hat-trickun e tij të gjashtë në Superiore, në fitoren 5-1 të skuadrës së Skënderbeut në shtëpi ndaj Flamurtarit të Vlorës, duke e çuar numrin e tij në 23-gola në kampionat. Në prill dhe maj, Salihi shënoi edhe tre gola të tjerë, duke e mbyllur sezonin me 27-gola në kampionat, teksa Skënderbeu fitoi titullin për të gjashtin vit rradhazi. Ai e përfundoi sezonin me 35-gola nga 42-ndeshje në të gjitha garat, duke vendosur një rekord të ri, atë më të mirin në karrierën e tij personale. Salihi e mbylli sezonin, duke fituar për herë të dytë Këpucën e Artë në Superiore, duke e përfunduar kampionatin gjashtë gola përpara Xhevahir Sukajt, me 21-gola.

Salihi nuk luajti asnjë ndeshje në futbollin europian, për shkak të ndalimit të Skënderbeut për akuza për trukim ndeshjesh. Ai e filloi sezonin, duke luajtur plot 90-minuta në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë në 2016 kundër Kukësit, e cila përfundoi me humbje 3-1 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Salihi e filloi kampionatin, duke shënuar një dy-golësh në ndeshjen hapëse kundër Flamurtarit të Vlorës, pasi Skënderbeu fitoi 2-1 në shtëpi. Kjo u pasua nga një tjetër gol, në javën e dytë të ndeshjeve ndaj Korabit të Peshkopisë, të sapongjitur, teksa Skënderbeu mori një fitore 2-0. Më 1-tetor, Salihi shënoi një tjetër dy-golësh për të çuar numrin e tij në 5-gola, teksa Skënderbeu fitoi kundër Vllaznisë, për të rritur më pas epërsinë në kampionat në 5-pikë.

Në dhjetor 2016, Salihi u shpall futbollisti shqiptar i vitit, duke u bërë futbollisti i tretë i Skënderbeut, që e fiton atë. Më 20-maj 2017, gjatë ndeshjes vendimtare kundër Kukësit për kampionat, Salihi së bashku me shokët e tjerë të skuadrës, u përfshi në një sherr masiv me gjyqtarin Enea Jorgji. Salihi në mënyrë të veçantë u kap, duke i shqyer kartonin e kuq gjyqtarit dhe duke e fyer gjatë ndeshjes, por ai nuk u pa nga gjyqtari Jorgji. Gjithçka nisi në minutën e 59-të, kur gjyqtari Jorgji nuk dha një penallti të pastër për Skënderbeun, pas një faulli brenda zonës ndaj Liridon Latifit, përkundrazi e ndëshkoi për simulim. Skënderbeu përfundimisht u mund 2-0 në stadiumin “Zeqir Ymeri”, që do të thotë se ata nuk arritën të fitojnë kampionatin për herë të parë në gjashtë vjet. Komisioni i Disiplinës i FSHF-së e dënoi me dhjetë ndeshje pezullim Salihin për të gjitha garat shqiptare.

Më 30-qershor 2017, pas një sezoni plot ulje-ngritje në aspektin individual, duke shtuar edhe pezullimin, Salihi u largua zyrtarisht nga Skënderbeu pas dy sezonesh. Gjatë qëndrimit në Korçë, ai luajti 80-ndeshje, ku 63 ishin në kampionat, 5 në Kupë, dy në Superkupë dhe 10 në kompeticionet europiane, duke shënuar 51-gola, ku 42 ishin në kampionat, dy në Kupë, dy në Superkupë dhe pesë në kompeticionet europiane.

Më 30-qershor 2017, Salihi mbylli një transferim te klubi i Ligës së Parë Austriake, Wiener Neustadt për një tarifë të pazbuluar. Transferimi u zyrtarizua nga klubi vetëm më 21-korrik, pasi ai u lirua nga dënimi me 10-ndeshje, gjë që mund të ishte një faktor për të anulluar marrëveshjen mes palëve. Salihi bëri paraqitjen e tij të parë në të njëjtën ditë, duke luajtur 70-minuta në një fitore 1-0 jashtë fushe kundër Ried, duke bërë një paraqitje të mirë në përgjithësi. Kontributet e tij të para të golave erdhën në paraqitjen e tij të dytë menjëherë për klubin shtatë ditë më vonë, duke shënuar me një goditje me kokë brenda zonës, teksa Wiener Neustadt rregjistroi një fitore 4-0 në shtëpi ndaj Blau-Weib Linz, për të marrë epërsinë e kampionatit. Më vonë, më 20-tetor, Salihi shënoi të katër golat, teksa Wiener Neustadt rregjistroi një fitore 4-2 në shtëpi ndaj Kapfenberger për të qëndruar në krye të kampionatit, me barazim në pikë me Ried.

Salihi arriti një numër golash dy-shifror dhe zuri kryesimin e tabelës së golashënuesve me 13-gola. Ky ishte “pokeri” i tij i dytë në karrierë, teksa fillimisht i pari ishte në nëntor 2010. Megjithatë, ekipi i Wiener Neustadt nuk qëndroi gjatë në krye të tabelës, teksa nuk mundi të mbante rezultatet e mira në pjesën e dytë të sezonit, duke rënë përfundimisht në vendin e katërt. Më 4-maj 2018, Salihi shënoi golin e tij të 20-të të sezonit me një goditje dënimi në minutën e 96-të, për t’i dhënë Neustadtit fitoren ndaj Floridsdorfer dhe për të mbajtur të gjalla shpresat e tyre për një vend të parë në kampionat.

Ai përfundoi sezonin si golashënuesi më i mirë së bashku me Seifedin Chabbi të Ried, duke shënuar 22-gola nga 33-paraqitje, të gjitha si titullar, pasi Wiener Neustadt arriti një vend në play-off, duke përfunduar i treti në kampionat, me 62-pikë. Salihi u emërua kapiten i klubit përpara sezonit 2018-2019. Më 28-mars 2019, Salihi njoftoi se ndeshja e kampionatit kundër Wacker Innsbruck dy ditë më vonë, do të ishte e fundit në karrierën e tij, duke shtuar se ai do të tërhiqej më pas. Ai luajti si titullar për 52-minuta, i paaftë për të parandalur një humbje 2-1 në shtëpi të ekipit të tij, Wiener Neustadt.

Ndërkohë, sa i përket karrierës me Kombëtaren, Salihi shënoi golin e tij të parë për Kombëtaren e Shqipërisë, në fitoren 3-0 ndaj Maltës, më 23-gusht 2007. Ai u aktivizua në lojë në minutën e 22-të, duke zëvendësuar Erjon Bogdanin. Vetëm pas 12-minutash lojë, bomberi shfrytëzoi një gabim të portierit maltez dhe shënoi. Salihi shënoi edhe golin e avantazhit në miqësoren jozyrtare kundër Milanit për Kupën “Taçi”. Ndeshja përfundimisht përfundoi 3-3, por me humbjen e Shqipërisë në penallti. Goli i dytë me Kombëtaren i Salihit erdhi kundër Suedisë, kur ai shënoi për Shqipërinë në ndeshjen e fundit të eliminatoreve të Kupës së Botës 2010, ku Shqipëria humbi 4-1.

As Suedia dhe as Shqipëria nuk u kualifikuan në Kupën e Botës 2010. Për kualifikueset e Botërorit 2014, trajneri i ri në atë kohë, Gianni De Biasi kishte futur sulmuesit e rinj në ekipin e Kombëtares, për të krijuar më shumë konkurrencë për vendet në ekipin e parë. Sulmuesit e rinj si Edgar Çani, Armando Sadiku dhe Bekim Balaj kanë ofruar konkurrencë për futbollistët e afirmuar dhe të pjekur, si Salihi dhe Erjon Bogdani. Në ndeshjen e hapjes së grupeve të eliminatoreve, Shqipëria u përball me Qipron në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës.

Salihi e nisi lojën në krye të sulmit së bashku me 21-vjeçarin Armando Sadiku, i cili po bënte debutimin e tij në ndeshjet me Kombëtaren në atë kohë, pasi ishte paraqitur në tre ndeshje miqësore, para ndeshjes kundër Qipros. Dyshja u kombinuan mirë në fazat e para të ndeshjes dhe Salihi pati një mundësi të mirë për të shënuar në pjesën e parë, para se Sadiku të hapte rezultatin në minutën e 36-të. Ndeshja përfundoi me një fitore 3-1 për Shqipërinë, pas golave nga të aktivizuarit në pjesën e dytë, Edgar Çani dhe Erjon Bogdani. Më 23-mars 2013, Shqipëria luajti kundër Norvegjisë jashtë vendit, në një ndeshje në “Ullevaal Stadion”, në një përballje vendimtare për të dyja palët.

Salihi e nisi ndeshjen në krye të sulmit me Çanin dhe menjëherë krijoi probleme te norvegjezët, me një gjuajtje në portë nga një goditje me kokë, në minutën e tretë. Ai shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 67-të, pas një veprimi të zgjuar brenda zonës për të dërguar topin në këndin e djathtë të rrjetës. Fitorja i mahniti norvegjezët për kënaqësinë e madhe të tifozëve mysafirë, të cilët thuajse ia kalonin në numër tifozëve vendas. Kjo e çoi Shqipërinë në vendin e dytë në grup me 9-pikë, përpara Norvegjisë që mbeti me 7-pikë. Salihi shënoi golin e dytë të sezonit më 11-tetor 2013, në ndeshjen e parafundit kundër Zvicrës në minutën e 89-të me një penallti, për të dërguar rezultatin në 2-1, ku edhe ndeshja përfundoi me të njëjtin rezultat.

Shqipëria u eliminua nga kualifikueset, duke u renditur në vendin e pestë me 11-pikë, një më pak se Norvegjia, dy më pak se Sllovenia. Salihi u thirr rregullisht nga trajneri Gianni De Biasi në fushatën e suksesshme të skuadrës kualifikuese për UEFA Euro 2016. Megjithatë, ai u përdor vetëm një herë në të gjitha kualifikueset, duke luajtur 21-minutat e fundit të fitores 2-1 në shtëpi kundër Armenisë në “Elbasan Arena”. Ai nuk u thirr në skuadrën me 27-futbollistë të UEFA Euro 2016. Kjo e bëri atë të konsideronte tërheqjen nga futbolli me Kombëtaren.

Më 2-maj 2019, Salihi u emërua ndihmës/trajner i Wiener Neustadt, ku ai në atë kohë luante gjithashtu futboll. Përpara sezonit 2019-2020, ai u emërua ndihmës/trajner i Edoardo Reja në Kombëtaren e Shqipërisë, detyrë kjo që vijon ta bëjë edhe sot.

Kjo ishte karriera e gjatë e sulmuesit shkodran Hamdi Salihi, një ndër futbollistët më të mirë që ka dalë nga Shkodra. Shpresojmë që në vazhdim në karrierën e tij si trajner, të ketë të njëjtin sukses siç kishte si futbollist. Vetëm suksese në të ardhmen tënde si trajner tashmë profesor Salihi!
Maringlen ZHIVANI