Një ndër ekipet surprizë të sezoneve të fundit në futbollin e moshave në Shkodër, padyshim që kanë qenë ekipet e shoqatës “Atletik Club Shkodra”. Ato do të marrin pjesë me ekipet e U9 dhe U11, në një turne prestigjoz moshash që do të zhvillohet në muajin prill në Itali. Presidenti aktual i këtyre ekipeve dhe kësaj shoqate, Elton Bungaja, për “Shkodra Sport” shprehet se sukseset e kurorëzuara nuk kanë qenë rastësi, pasi nga viti në vit kanë rritje dhe shumë përmirësime.

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me objektivat e tyre për të ardhmen, Bungaja shprehet se synohet çuarja më tej e këtyre arritjeve që vitet e fundit kanë bërë. Presidenti Bungaja foli edhe pritshmëritë e viteve në vazhdim që ai ka, teksa thotë se duan të plotësojnë një ëndërr të madhe që ata kanë, për të pasur një fushë sportive të tyren.

Në këtë mënyrë, futbolli i moshave tashmë ka edhe një alternativë më shumë në Shkodër, atë të Atletik Club. Padyshim që kjo është në të mirë të futbollit të këtij qyteti, sepse sa më shumë fëmijë të merren me sport, aq më mirë është.

“Patjetër notë pozitive për gjitha ekipet e Atletik vitet e fundit. Nga viti në vit kemi rritje dhe shumë përmirësime në çdo aspekt, duke filluar nga detajet e vogla dhe deri tek ato më të rëndësishmet.

Ndihma financiare që po jap? Momentalisht, është e vetmja gjë, që më bën të ndihem mirë dhe më jep kënaqësinë, sikur të isha vërtetë prezent çdo ditë aty.

Fakti që falë punës së stafit dhe fëmijëve, të cilët rriten çdo ditë e më shumë të motivon akoma më tepër të mbulosh një pjesë të nevojave, që klubi ka dhe të cilat janë shumë bazike për punën dhe imazhin e një akademie futbolli.

Ajo që shpresoj është që, koha të jetë në favorin tonë dhe mundësitë tona si klub, të rriten më tepër në plotësimin dhe realizimin e ëndrrës tonë të madhe, duke pasur një fushë sportive tonën.

Eshtë e vërtetë që jam larguar nga Shkodra. Momentalisht, jam larg, në Amerikë më konkretisht dhe mezi pres të jem sërish pjesë e stafit në terren dhe jo vetëm nga larg.

Nuk kam ndonjë peng. Besoj jam larguar në kohën e duhur dhe në momentin e nevojshëm për të mbështetur dhe menduar shumë seriozisht për një të ardhme më të mirë në financimin e dëshirës time, së bashku me profesor Legatën, që të kemi një kamp sportiv tonin.

Kemi një akademi shembullore dhe pse jo të mendojmë më seriozisht për të. Po kthejmë pasionin në profesionin tonë të së ardhmes. Stafi është i mrekullueshëm dhe unë ndihem shumë krenar për punën e tyre dhe jo vetëm. Ato nuk janë thjesht trajner futbolli, janë shumë më tepër se kaq. Duke i menduar, thjesht si trajnera, gabojmë.

Janë ata që marrin shumë përgjegjësi, në mënyrë që sportistëve, mos t’iu mungojë asgjë, duke filluar nga edukimi për sportin dhe jashtë sportit. Përkujdesja brenda dhe jashtë terreneve sportive, transporti, komunikimi me prindër, aktivitetet jashtë futbollit, koha për t’i fotografuar dhe filmuar, në mënyrë që të kenë sa më shumë kujtime të bukura gjatë rrugëtimit të tyre me ne. Kjo i bën vërtetë të mrekullueshëm dhe për t’u admiruar në punën e tyre dhe unë dua t’i falënderoj shumë, pasi jemi grupi më i suksesshëm i trajnerëve për shumë dhe shumë vite në Shkodër dhe besoj edhe jashtë saj.

Sigurisht, jemi në rritje dhe kjo na bën të jemi kërkues, që pas çdo sezoni të shtojmë diçka të re tek klubi. Këtë vit, u shtuam me ekipin e vajzave të Atletik dhe kjo është një risi për ne. Ekipi i parë që ne kemi për femra dhe ai është pjesë e Superligës. Pas këtij sezoni, me vajzat presim të përmirësohemi akoma më tepër dhe të shtojmë pretendimet në klasifikimin e renditjes. Gjithashtu, për U-15, këtë vit duam që të jetë pjesë e Superligës.

Ka shumë lojtarë cilësorë, që kanë dalë nga ekipet tona. Nuk kam dëshirë të jap emra, pasi çdokush është i mirë në rolin e tij dhe në të veçantat e tij, si lojtar, por duke mos harruar që jetojmë në një vend, ku shumë lojtarë janë të detyruar të heqin dorë nga ëndrra e tyre për futbollin dhe ndoshta sot mund të ishin diku me një të ardhme sportive më të mirë.

Sot kemi lojtarë që luajnë tek Vllaznia U17 dhe U19, gjithashtu, edhe te ekipe në Superiore. Kemi në Itali, Gjermani dhe Greqi, momentalisht, që të gjithë janë të suksesshëm dhe po iu ecën shumë mirë dhe kështu shpresoj t’iu shkojë çdo sezon dhe ne të jemi sa më krenar per ta dhe ata të jenë shembull për moshat e vogla, që sot kemi pjesë të akademisë tonë.

Sa do doja që të isha pjesë e turneut që do zhvillohet në Itali. Më mungon shumë. Turneu futbollistik është me mjaft vlera për futbollistët e vegjël.

Në mbi 10 vjet pjesëmarrje, kjo na ka shërbyer edhe ne si staf, që të rrisim aftësitë tona profesionale, duke komunikuar me trajnerë nga e gjithë Europa dhe jo vetëm. Ekipe shumë cilësore dhe me shumë vite në tregun e futbollit.

Fëmijët tonë kanë fatin të luajnë në një kupë, ku përfshijnë moshatarë të tyre të nivelit profesional dhe amator, duke i bërë të kuptojnë dhe të krahasojnë vlerat e tyre sportive, kulturore dhe edukative.

Ne si staf kemi vënë re, që çdo fëmijë që ka qenë të paktën njëherë pjesëmarres në turne, ka marrë ndryshim për mirë dhe e ka motivuar dhe ndihmuar në shumë aspekte sportive, sociale, psikologjike, kulturore, patriotike dhe edukative”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Atletik Club, Elton Bungaja.
Maringlen ZHIVANI