Ditën e sotme, rreth 30 punonjës të stadiumit “Loro Boriçi”, dhe të tjerë të fushës sportive “Reshit Rusi”, si edhe trajnerë të akademisë “Vllaznia”, kanë dalë në një protestë, pasi sipas tyre kanë 5 muaj që nuk marrin pagat. Në ambientet e fushës “Reshit Rusi”, ata dolën duke i kërkuar Bashkisë Shkodër, që i ka në varësi, pagat që kanë muaj pa i marrë. Në mbështetje të tyre, ishte edhe Albert Tuka, Kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Tuka tha se një fond prej 200 milionë lekësh të vjetër i akorduar nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës që në prill të këtij viti, nuk është kaluar nga ana e prefekturës së qarkut Shkodër, duke bërë që punonjësit të mos paguhen prej 5 muajsh.

Ne lidhje me kete çeshtje, ka reaguar sot edhe kryebashkiakja e Shkodres, zj. Voltana Ademi e cila eshte shprehur: “Shqetësimi është ngritur shumë herë. Situata ku ndodhet bashkia është pak komplekse dhe lidhet me krizën politike.

Këshilli Bashkiak ka 3 muaj që nuk merr asnjë vendim. Në bashkinë Shkodër nuk ka një vendimarrje që lidhet me vijueshmërinë e punës për tu ekzekutuar nga ekzekutivi, administrata e bashkisë Shkodër dhe për pasojë ka edhe pengesa që vijnë në shërbimin që ne realizojmë.

Ka pasur miratim nga Këshilli Bashkiak për alokimin e fondeve. Kjo vendimmarrje nuk është kaluar nga Prefekti i qarkut Shkodër. Duke parë problematikën i jemi referuar edhe njëherë Këshillit me datën 11 qershor 2019 dhe sot jemi në muajin shtator dhe nuk kemi një shqyrtim apo një vendimmarrje që do të duhet të adresojë paratë e buxhetit.

Paratë që ka në dispozicion Bashkia Shkodër janë të mundshme për tu alokuar sepse ne i kemi dërguar për miratim. Ajo që kërkohet menjëherë është një vendimmarrje për përdorimin që nuk mund ta realizojë bashkia Shkodër”