Behar Ramadani, mesfushori shkodran, është i mendimit se Vllaznia e tij meritonte më shumë në këto javë të kampionatit. Ai ka folur për humbjen ndaj Kukësit, por edhe për kthesën që pret të bëjë skuadra ndaj Partizanit.

Ai ka besim se me një merkato të goditur, në pjesën e dytë të sezonit kuqeblutë mund të jenë më konkurrues dhe të kapin vendin e tretë në përfundim të kampionatit.

Mendoj se bëmë një ndeshje pozitive, por në qoftë se disa momente do t’i kishim zgjidhur më mirë, jam i sigurt se do ta evitonim humbjen.

Nuk shkoi siç duhet për Vllazninë, apo ishte edhe meritë e miqve?

Mënyra se si ne i pësojmë golat dhe mosfinalizimi i duhur i rasteve që krijojmë, ishin ato që sollën humbjen në këtë ndeshje. Por nuk duhet të harrojmë se skuadra e Kukësit ka meritat e veta. Për mendimin tim janë ekipi më i mirë dhe kanë lojtarët më me shumë cilësi në organikën e tyre.

Çfarë po ndodh me Vllazninë në “Loro Boriçi”, pasi humbjet janë të barabarta sa fitoret së bashku me barazimet në shtëpi?

Është vërtet e çuditshme dhe nuk e kuptoj pse po na ndodh kjo. Mendoj se është problem psikologjik dhe është diçka që duhet ta rregullojmë sa me shpejt.

Nëse duam të ecim para dhe të arrijmë objektivat tanë si skuadër, normalisht edhe që të kënaqim tifozët, pasi me të drejtë janë të zhgënjyer me rezultatet që Vllaznia ka pasur në shtëpi. Vllaznia luan më mirë dhe është më efikase në transfertë sesa brenda.

Mund të pritet një tjetër befasi nga ju ndaj Partizanit?

Rezultatet e tregojnë qartë këtë gjë që jashtë fushe jemi ekipi që kemi grumbulluar më shumë pikë deri në këto momente. Unë kam besim se edhe në këtë ndeshje ndaj Partizanit do të marrim rezultat pozitiv.

Si e shikoni skuadrën shkodrane në pjesën e dytë të sezonit?

Nuk di çfarë të them për këtë pjesë, pasi është herët të flasim. Duhet të shohim grupin e lojtarëve që do kemi gjatë fazës përgatitore, pastaj mund të japim një mendim. Por, e sigurt është se edhe në pjesën e dytë të sezonit asnjë ekip s’do ta ketë të lehtë kundër nesh.

Nëse drejtuesit arrijnë të bëjnë afrimet e duhura, mund të jetë Vllaznia një nga skuadrat që do të tentojë edhe Europën?

Jemi shumë afër zonës që të çon në Europë. Na ndajnë vetëm 2 pikë dhe në qoftë se klubi bën një merkato të mirë, patjetër që do tentojmë Europën, pasi ekipet kanë shumë pak diferenca këtë sezon.

Mbaj mend me Luftëtarin, ish-ekipin tim, ishim të parafundit në renditje, shumë pikë mbrapa ekipeve të tjera dhe arritëm ta mbyllnim në vend të tretë. Historia mund të përsëritet dhe aq më tepër tani.