Egnatia, në javën e 30-të të “Abissnet Superiore” ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në Korçë, 1-0 përballë Skënderbeut. Gjithsesi, për trajnerin e skuadrës rrogozhinase, Zekerija Ramadani nuk ka kohë për të festuar, e gjithë vëmendja është tek ndeshja e radhës, një tjetër finale, përballë është Kastrioti, skuadra më në formë e momentit.

I pranishëm në studion e emisionit, “Rubrika Sportive” në RTSH, Ramadani ka theksuar: “Ndeshja e radhës, ajo me Kastriotin do të jetë vendimtare. Nëse dalim me tri pikë, përveç tri pikëve të marra mendoj se të tjerëve do u prishim shumë plane”.

Fitorja me Skënderbeun – “E dinim se nervozizmi duhet të ishte në anën e tyre dhe se nuk duhet të nxitoheshim. Ishte e qartë se një moment do e vendoste këtë takim. Në momentin e kartonit të kuq dëgjova duke i thënë gjyqtarit mos e prish ndeshjen. Por unë dua të them se ishte vetë lojtari i Skënderbeut që e prishi ndeshjen”.

Besimi i dhënë nga drejtuesit – “Presidenti në fillim më tha: ke katër ndeshje në dispozicion, bëj çfarë të duash. Ishte një përkrahje e madhe. Pësuam tri humbje dhe një fitore. Në tri humbjet radhazi ne bëmë një paraqitje të mirë në fushë. Kam ndjekur të gjithë ecurinë e skuadrës për të gjetur një modul të përshtatshëm”.

Nga Korça në Kamëz – “Shpresojmë të jemi në kushte të barabarta, të japim maksimumin. Mendoj se duhen aktivizuar lojtarët që kanë më shumë guxim. Nuk mendoj se duhet shumë teknik aty, duhet zemër. Mund të jetë një moment që vendos ndeshjen. Aty është më mirë një brazilian që nuk e di se çfarë ndodh, se sa një shqiptar që e di. Nëse kërkojmë rezultat, duhet të luajmë ashtu siç luajnë ata”.

Skuadrat e tjera – “Skuadrat që janë në pjesën e poshtme në renditje varen dhe nga individi, ndërsa skuadrat si Kukësi nuk mund të varen nga një sulmues për shënimin e golave, duhet të shënojnë dhe të tjerët.

Në fillim të kampionatit, Vllaznia dhe Kukësi kanë bërë lojën më të bukur. Pas largimit të Brdariç, skuadra nuk ishte më ajo e para. Luan shumë hapur, luan shumë larg nga porta, mund ta kapësh në befasi. Partizanin është shumë e vështirë ta analizosh. Kur është larg vendit të parë, mendoj se nuk është i motivuar”.