Realdo Fili është larguar nga skuadra ukrainase e Chornomorets Odesa. Sulmuesi fierak është përshëndetur me drejtuesit e kësaj skuadre tashmë, teksa lufta atje duket se i ka ndërprerë bashkëpunimin me ekipin e Chornomorets.

Situata e vështirë që po kalon Ukraina për shkak të luftës me Rusinë ka sjellë edhe “divorcin” e parakohshëm mes Filit dhe Chornomorets. Tashmë, Fili është një futbollist i lirë, duke qenë ndoshta edhe një opsion për skuadrën e Vllaznisë, pse jo.

Aktualisht, 26-vjeçari është një lojtar i lirë dhe ofertat në drejtim të tij nuk mungojnë, teksa ndoshta do të mund të ishte një opsion i vlefshëm për skuadrën e Vllaznisë përsa i përket repartit sulmues, ku ekipi ka vuajtur me shënimin e golave deri në këtë pjesë të sezonit aktual të Superiores. Megjithatë, duhet saktësuar se ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete nga ana e Filit apo klubit të Vllaznisë, që nuk ka një interesim konkret ndaj tij.

Sulmuesi është një emër i njohur në kampionatin shqiptar, teksa ai ka spikatur fillimisht te Apolonia, për t’u transferuar më vonë te Partizani. Tek të kuqtë, Fili ra në sy për cilësitë e tij të mira. Pas Partizanit, provoi të luante me Kamzën dhe më vonë me Skënderbeun, teksa kaloi edhe te Luftëtari.

Pas aventurës me gjirokastritët, ai zgjodhi të transferohej te Botoshani në Rumani dhe së fundmi, Fili luajti edhe në Ukrainë për ekipin e Chornomorets Odesa, aty ku tashmë ka ndërprerë bashkëpunimin me skuadrën ukrainase dhe aktualisht është një futbollist i lirë.

Në fakt, merkato e janarit është ende larg, por patjetër që vëmendja e skuadrës së Vllaznisë do të jetë edhe në këtë periudhë për përforcimet e dimrit, ku shkodranët do të kërkojnë të përmirësojnë diçka në fazën sulmuese dhe ndoshta sulmuesi fierak Realdo Fili mund të jetë një opsion për ekipin shkodran.
Maringlen ZHIVANI