Skuadrat e Superiores vijojnë me përgatitjet gjatë kësaj periudhe ku kampionati do jetë pushim dhe ku të gjithë duhet të mbajnë formën fizike.

Për shumë nga ekipet e Superiores, ky pushim ka vlejtur shumë pasi kanë rikuperuar jo vetëm nga ana psikologjike, por edhe nga ajo fizike dhe e dëmtimeve. Ku shumë futbollistë kanë kaluar problemet fizike në këtë periudhë.

Një ndër ta është edhe Liridon Latifi. Lojtari nga Prishtina, që pritej të ishte protagonist kryesor i Vllaznisë këtë edicion, ka vuajtur një dëtim të rëndë.

Ish-futbollisti i Skënderbeut nuk zbret në fushë që nga data 28.08.2022, ku Vllaznia përballej në duelin e jaës së dytë kundër Kukësit. Pra 3 muaj thuajse pa luajtur dhe kurioziteti për të parë 28-vjeçarin në fushë është shumë i madh.

Kjo pasi Latifi ka luajtur vetëm 90 minuta në ndeshjen e parë kundër Erzenit dhe 72 të tjera kundër Kukësit, duke grumbulluar kështu vetëm 162 minuta në këtë edicion. Gjithçka për shkak të dëmtimit që pësoi, që në fillim u duk se ishte i lehtë dhe që do kalonte për 2-3 javë, por që nuk rezultoi aspak i tillë.

Latifi, në një periudhë ku skuadra është edhe pranë merkatos së janarit, mund të cilësohet si një ‘blerje’ e re e skuadrës, që patjetër me rikthimin në formë të Latifit do kishte një armë më tepër dhe shumë cilësore në sulm.

Duhet të kujtojmë se ai numri 7-të ishte golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në edicionin e shkuar, ku shënoi 12 gola në Superiore dhe duket se rrjetat dhe performanca e tij i kanë munguar fazës sulmuese të ekipit në këtë periudhë.
Endri ÇINARI