Deklaratat e Edi Rejas se Kristjan Asllani nuk është i lumtur me situatën e tij te Interi ku nuk po luan aq sa priste, duket se nuk janë pëlqyer përtej Adriatikut.

Trajneri i përfaqësueses shqiptare theksoi për mediat italiane se djaloshi shqiptar do të përfitonte më shumë nëse largohej nga klubi zikaltër.

Një situatë që është etiketuar si ”bezdisëse” për klubin milanez. “Rindërtimi i situatës nga Reja, mbi faktin se Asllani nuk është i lumtur për situatën, është pritur me zhgënjim nga Interi edhe sepse të hënën ishin pikërisht deklaratat e personit në fjalë mbi temën, ku ai shfaqej mjaft i qetë”, shkruan ”Tuttosport”.

E njëjta gazetë shkruan se Interi as ka ndër mend të dëgjojë fjalët e Rejës për një huazim të Asllanit në janar. “Asllani do të qëndrojë në bazë të paktën deri në fund të këtij sezoni.

Pak për faktin se përndryshe do të duhej zëvendësuar, por sidomos për faktin se ky vit si nxënës mund të jetë shumë i vlefshëm për të ardhmen pasi para tij, mes Brozoviç, Çalhanollu dhe vetë Mkhitarjan, ka tre mësues të mirë”, thekson e përditshmja italiane.