Shënimi i autogolit në minutat shtesë la shije të hidhur jo vetëm tek ekipi, por dhe te tifozët krutanë, të cilët nuk munguan as në ndeshjen ndaj kuksianëve. Skuadra e Çelës e dominoi ndeshjen duke krijuar dhe raste të pastra për shënim. Një fakt të tillë e pranon edhe mesfushori Edon Hasani.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 32-vjeçari shkodran shprehet: “Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, duke qenë superiorë ndaj një skuadre, që në gjirin e saj ka futbollistë cilësorë. Krijuam jo vetëm volum loje, por ajo u shoqërua edhe me raste të pastra për shënim. Një rezultat i tillë na mërziti shumë, por kjo është pjesë e fatit. Një fitore do të na afronte më shumë me skuadra të tjera në renditje”, tha fillimisht Hasani.

Në vijim të prononcimit të tij, mesfushori i njohur, analizon ndeshjet e skuadrës së tij, që në 12 javë të kampionatit, pozicionohet në vendin e gjashtë me 15 pikë dhe me golavarazh 9-8.

“Duhet pranuar se kemi bërë dhe hapa fals. Me lojërat që kemi zhvilluar, meritonim të ishim më mirë në renditje. Grupi është shumë i mirë. Kemi fatin të kemi dy trajnerë si Emiljano Çela dhe Bekim Kuli, që jo vetëm na qëndrojnë afër, por dhe na motivojnë në fushën e lojës”, thotë mes të tjerash shkodrani.

Në vazhdim, ish-lojtari i Tiranës e Vllaznisë parashikon një kampionat të fortë dhe të vështirë. Skuadrat, sipas tij, janë afër më njëra-tjetrën dhe lufta për fitimin e titullit kampion dhe ajo për t’i shpëtuar rënies nga kategoria do të jetë shumë e fortë.

“Nga java në javë, kampionati po bëhet mjaft i bukur dhe tërheqës. Lufta e fortë sportive për fitimin e titullit kampion, ashtu dhe për qëndrimin në Superiore do të jetë e vështirë. Duhet shumë punë dhe këmbëngulje. Ndeshjet duhen vlerësuar në maksimum”, shprehet në fund të prononcimit të tij, mesfushori Edon Hasani.

Pas përfundimit të ndeshjes me Kukësin, që u zhvillua ditën e shtunë, drejtuesit vendosen që futbollistëve t’u jepen disa ditë pushim