Topi me të cilin legjenda Diego Armando Maradona shënoi golin e njohur si “Dora e Zotit” dhe që ndihmoi në vulosjen e fatit të Anglisë në çerekfinalen e Kupës së Botës 1986 është shitur në ankand për 2 milionë paund.

Topi ishte në pronësinë e arbitrit tunizian Ali Bin Nasser, i cili e konsideroi të rregullt golin me dorë të legjendës në ndeshjen Angli-Argjentinë.

Para ankandit, Bin Nasser shpresoi që blerësi do ta vendoste atë në ekspozitë publike. Duke folur për golin, ai tha: “Nuk e pashë qartë incidentin, nuk e dija që Maradona e shtyu me dorë topin në rrjetën e Peter Shilton”.

Rikujtojmë që Argjentina fitoi përballjen ndaj Anglisë me shifrat 2-1. Ishte Maradona i cili shënoi me “dorën e Zotit” golin e parë të ndeshjes. Çerekfinalja e Botërorit ishte dita e Maradonës, ku ai shënoi dy perla në një ndeshje.

Në golin e dytë, Maradona dribloi 5 lojtarë, së bashku me portierin dhe shënoi atë që u konsiderua më pas si “goli i shekullit”.