Kam lindur në Shkodër më 4 dhjetor 1920. Mësimet e fillores dhe të mesmes I kam kryer në qytetin e lindjes ndërsa studimet e larta në Tiranë, pranë Insitutit të Lartë të Edukimit Fizik, profili futboll. Jetën futbollistike, si çdo I ri, e kam filluar në sheshet e lagjes, në shoqënitë e improvizuara të asaj kohe, si “Bishtuku”, me punëtorët e fabrikës “Tarabosh”, ku bënin pjesë edhe Bimo Fakja, Dul Dragovoja etj. Në gjimnas, klasa ku bëja pjesë, ka qenë vazhdimisht kampione e shkollës. Kam qenë anëtar I ekipit të Gjimnazit të Shkodrës.

Për herë të parë jam inkuadruar në ekipin e Vllaznisë në ndeshjen e zhvilluar në Tuz në vitin 1942 dhe ku fituam me rezultatin 4-0. Pastaj në vitin 1943, luajta sërish në një ndeshje miqësore me Tiranën.
Mbas Çlirimit, kam marrë pjesë me Vllazninë në turneun e zhvilluar në Kosovë në vitin 1945, në qytetet Prishtinë, Prizren e Gjakovë. Të gjitha ndeshjet I fituam pa marrë asnjë gol. Në korrik 1945, me Vllazninë jam aktivizuar në ndeshjet miqësore me Cetinën, ndeshje në të cilën pësova frakturë e luksacio në të dy klavikulat. Pas plot 6 muajsh, më 13 shkurt 1946, në një ndeshje miqësore me Partizanin, në minutat e para të saj pësova një frakturë në këmbën e djathtë, (tibie e peron). Mbas këtij moment të rëndë, kam lënë karrierën si futbollist dhe I jam përkushtuar përgatitjes time si trajner. Mbas fitores së Kampionatit Ballkanik në tetor të vitit 1946, nën drejtimin e trajnerit jugosllav Broçiç, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi të parin kurs trajnerësh në Tiranë. Ishim vetëm pesë ish- futbollistë nga Shkodra, Tirana e Korça, pjesmarrës në të. Pas kësaj, kam kaluar në organet drejtuese të fiskulturës në rreth deri në vitin 1949 kur përsëri jam thirrur në Tiranë në kursin e trajnerëve të drejtuar nga sovjetiku Boris Apuhtin e më vonë me sovjetikun tjetër Lukshinov dhe hungarezin Miklosh Vadash. Në vitin 1950 kam kaluar në shërbimin ushtarak duke qenë trajner I Brigadës Bregdetare, një ndër repartet më të njohura në ushtri. Nga ky repart dolën mbrojtësi I njohur I 17 Nëntorit Bedri Stërmasi, lojtari e trajneri I Flamurtarit Petrit Arapi etj. Me kthimin nga ushtria, jam emëruar inspektor pranë klubit Vllaznia dhe mbas një viti, më emërojnë trajner I ekipit “Dinamo” e Shkodrës.

Ekipi I Dinamos konkurronte në kategorinë e dytë dhe në ndeshjen finale me Gjirokastrën në vitin 1954, fituam me rezultatin 2-1 duke fituar të drejtën të kalonim në kategorinë e parë. Konkurrimi I Dinamos së Shkodrës në kampionatin e kategorisë së parë në kampionatin e vitit 1955 ka qenë shumë dinjitoz sepse ndër 16 ekipet pjesmarrëse, zumë vendin e katërt në renditje pas Partizanit, Dinamos së Tiranës dhe 17 Nëntorit. Dinamo e Shkodrës e zhvilloi edhe një ndeshje ndërkombëtare me Dozhën e Budapestit, ndeshje që përfundoi në barazim 0-0. Kur Dinamo e Shkodrës po krijonte fizionominë e saj si ekip futbolli modern, Federata Shqiptare e Futbollit e shkrin ekipin dhe si rrjedhojë u bë bashkimi me Punën e Shkodrës duke rikrijuar sërish Vllazninë. Konkurrimi I ekipeve të bashkuara  tashmë nuk ishte dinjitoz sepse bashkimi I tyre ishte I padëshirueshëm nga palët dhe për rrjedhojë shumë lojtarë u larguan. Për këtë arsye, Vllaznia në fund  të sezonit ra në kategorinë e dytë Drejtimin e ekipit e mori Isuf Pelingu mbasi kishte kaluar një formim profesional në Hungari. Në këtë periudhë kam drejtuar rezervat e Vllaznisë për t’u rikthyer sërish tek ekipi I parë në kampionatin e vitit 1958 ngaqë drejtuesit e klubit e shkarkuan Pelingun për mungesë rezultatesh (4 ndeshje- 0 pikë). Me mobilizimin e të gjithë futbollistëve, ne mbetëm në kategorinë e parë. Po në vitin 1958, më është besuar drejtimi I ekipi Besa e Kavajës për një muaj stërvitje në qytetin e Shkodrës para ndeshjes me Dinamon e Berlinit, ndeshje që përfundoi 0-0. Po këtë vit, bashkë me veteranët Muc Koxhja dhe Latif Alibali, morëm drejtimin e ekipit. Më vonë, drejtimi I ekipit iu besua Tonin Krajës ndërsa unë kalova tek ekipi I të rinjve ku bënin pjesë Medin Zhega, Menduh Dedja, Selman Cukali, Vullnet Ademi etj. Në finalen e kampionatit me Dinamon e Tiranës, zumë vendin e dytë. Deri në vitin 1964 kam drejtuar të rinjtë dhe rezervat. Me ardhjen e trajnerit Skënder Jareci në krye të Vllaznisë, jam ngarkuar të bashkëpunoj me të. Në sajë të punës së shëndoshë, plot autoritet e aftësi profesionale të zhvilluar, kryesisht nga Jareci, u arrit më në fund që Vllaznia të dilte nga amullia. Puna e mirë e jona me Muhamet Dibrën dhe Xhelal Jukën me moshat, krijoi një kontigjent futbollistësh të rinj dhe u dha shansin që Vllaznia të mos ngelesh si hije në futbollin shqiptarpor ta kthente në lavidën e viteve të shkuara dhe të arrinte të rivalizonte për tituj. Pikërisht në sezonin 1964-65, fituam për herë të parë Kupën e Republikës dhe patëm renditje të mirë edhe në kampionat.
Në vitin 1966 kam bashkëpunuar me trajnerin Xhevdet Shaqiri që mori drejtimin e Vllaznisë dhe kam vazhduar kështu deri në vitin 1970. Në këtë periudhë ekipi u konsolidua edhe më shumë, pati rezultate gjithnjë në rritje duke zënë vazhdimisht vende të nderuara në klasifikim. Në ndeshjet ndërkombëtare miqësore por edhe ato për Kupën Ballkanike, Vllaznia arriti të bënte figurë të mirë.

Në vitin 1970, me dëshirën time kam kërkuar të lihem I lirë për arsye të qënies si shef katedre në Insitutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe për disa arsye të miat personale, kryesisht për ruajtjen e personalitetit tim.
Pas largimit si trajner, jam zgjedhur anëtar I kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit derisa sa jam zëvendësuar pas dy vitesh.
Kam shkruar disa artikuj studimorë për futbollin në revistën “Fiskultura e Sporti”, artikuj në gazetën “Sporti Popullor”, në “Pioneri” dhe në revistën “Buletini”, organ periodic që nxirrte Insituti I Shkodrës.
Duke trajtuar tema krejtësisht për futbollin, kam marrë pjesë në të gjitha sesionet shkencore të zhvilluara në Tiranë dhe Shkodrë.
Për kontributin e dhënë në fushën teorike e në drejtim, Federata Shqiptare e Futbollit më ka akorduar titullin “Trajner shteti”.

Rifat Rusi

14.12.1998