Sezonin e kaluar në periudha të ndryshme ka qenë një problem serioz për stafin e ekipit “Vllaznia B”. Lojtarë të ekipit të parë refuzonin të luanin për të, ndonëse ishte e domosdoshme një gjë e tillë.

Ngritja e zërit nga trajneri Kraja apo dhe ndonjë lëvizje e drejtuesve të klubit, bëri që gjërat të ndryshojnë dhe me ekipin e dytë nisën të luajnë edhe emra të tillë si Krymi, Çinari, Gurishta etj.

Për rrjedhojë, në fund objektivi u arrit. Sivjet po përsëritet i njëjti problem. Në tre ndeshjet e para të kampionatit, shumë pak ose më mirë të themi aspak, ekipi B nuk është ndihmuar nga ekipi i parë.

Trajneri Kraja duket i shqetësuar nga ky fakt sepse tek “Vllaznia A” ka lojtarë që ende nuk e kanë prekur fushën e lojës dhe megjithatë nuk shkojnë për të luajtur me ekipin “B”.

I vetmi që i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese është Ergi Borshi, që madje mban edhe shiritin e kapitenit.
Kraja herëpashere ka bërë apel për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi sepse objektivi i ekipit është ngjitja një kategori më lart dhe kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka një bashkëpunim të mirë në mes drejtuesve të klubit dhe stafeve të dy ekipeve.
© shkodrasport.com